Shkrimtari Stefan Çapaliku, në Sarandë për ditën botërore të librit

23 Prilli, që shënon Ditën Botërore të Librit, është përcjellë me veprimtari speciale, dedikuar Librit dhe Leximit. Ato kanë nisur me gjestin e dhurimit të librave nga nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të Sarandës, si dhe nga autorë krijues lokalë, që kanë mbushur Shtëpizat e Librit, të instaluara prej dy vjetësh më parë në shetitore dhe përpara Bashkisë së Sarandës.

Dhuruesve të librave iu bashkuan edhe Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma e shkrimtari i ftuar prej tij, enkas për të qenë në Ditën Botërore të Librit në Sarandë, Stefan Çapaliku.

Në Bibliitekën e Qytetit shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku pati një bashkëbisedim të ngrohtë e interesant me anëtarë të Klubit Krijues “Jonianët”, me mësues të letërsisë dhe nxënës të pasionuar pas leximit dhe lëndës së letërsisë nga shkollat 9-vjeçare e të mesme. Kryebashkiaku Adrian Gurma falenderoi shkrimtarin Stefan Çapaliku që në këtë ditë të veçantë zgjodhi të jetë në Sarandë për të bashkëbiseduar për Librin.

Stefan Çapaliku tregoi se 23 prilli është përcaktuar nga UNESCO prej 1995, si Ditë Botërore e Librit. Ajo është e prejardhur nga Spanja e mesjetës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil, por e lidhur po kaq edhe me lindjen ose vdekjen në këtë datë të kolosëve të letërsisë botërore, si: Servantesi, Shekspiri, Nobakov etj. Pas kësaj, Stefan Çapaliku solli eksperiencat e tij krijuese në disa zhanre, lidhjen e tij me letërsinë e qytetit dhe me prozën e tranzicionit. Ai u ndal në faktorë të tillë si mungesa e kritikës, foli për nevojën e komunikimit me lexuesin edhe përmes takimeve të drejtpërdrejta e jo vetëm përmes veprës.

Çapaliku iu përgjigj interesimit të mjaft të pranishmëve në takim, si: autorë të librash, krijues, mësues letërsie dhe nxënës shkollash, që i drejtuan pyetje që lidhen me procesin e me laboratorin krijues, me raportin mes kohës së akumulimit dhe shkrimit, mbi të shkruarit dhe të shuarit të asaj që shkruhet, mbi kujtimet që ruan nga botimi i librit të parë apo mbi emocionet që ka marrë nga botimi i tij në disa gjuhë të huaja etj.

Takimi që u moderua nga gazetari Thoma Nika, u mbyll me autografët që autori Çapaliku u dha mjaft prej pjesëmarrësve në takim, pasi morën disa prej titujve të librave të tij.