Saranda projekte binjakëzimi me Suharekën e Gjakovën në fushën e turizmit
Me afrimin e sezonit turistik, shihet të rritet edhe interesi i operatotëve turistikë dhe medieve nga Kosova, për Sarandën.
Përfaqësues të tyre janë takuar sot me kryetarin e bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ku është biseduar për një bashkëpunim më të mirë këtë verë, në mënyrë që pushuesit dhe vizitorët nga Kosova të gjejnë në Sarandë kushte sa më të mira për pushimet apo vizitat e tyre.
Kryebashkiaku Gurma shprehu vlerësim për fluksin gjithnjë e në rritje të pushuesve kosovarë, që preferojnë në masë bregdetin shqiptar, edhe në vitet e mbijetesës së turizmit në kushtet e pandemisë.
Përmes takimit me përfaqësues të operatorëve turistikë dhe prononcimit në median e pranishme, ai siguroi se Saranda këtë verë është më e përgatitur për të pritur prurje të shtuar, pasi investimet në infrastrukturë e afrojnë edhe më shumë Sarandën me Tiranën e Prishtinën, ndërkohë që investimet në infrastrukturën e brendshme krijojnë mjaft lehtësira dhe se oferta turistike është më e diversifikuar se çdo vit tjetër.
Të gjitha këto, shtuar klimën e ngrohtë vëllazërore që i ofrohet këtu çdo pushuesi apo vizitori nga Kosova, ai i renditi si arsye që pritshmëritë të jenë për rritje të dukshme të preferencës për të zgjedhur Sarandën në këtë sezon pushimesh.
Në funksion të kësaj, kreu i bashkisë Adrian Gurma tha se së shpejti do të realizojë një tur takimesh veçanërisht në kryeqytetin e Kosovës, në formatin e “Ditës së Sarandës në Prishtinë”, si dhe në qytetet e binjakëzuara, si: Suhareka e Gjakova.