REPORTAZHI: Turizmi i 1 milion netëve
Nga Thoma Nika
OPATIJA (Kroaci): Gjithçka bind se këtu ka 200 vjet që bëhet turizëm. Opatija është qyteti që renditet i dyti pas Zagrebit për flukse turistike.
Në 1 milionë e 300 mijë netë fjetjeje ishte treguesi esencial i intensitetit të turizmit të Opatisë përpara pandemisë. Këtë verë miqtë tanë na thanë se synohet të kapet kuota e 1 milionë netëve.
Një pjesë e mirë e suksesit, treguan se i dedikohet shërbimeve Wellness, që aplikohen si vlerë e shtuar relaksuese për mikpritjen turistike.
Na thanë se hoteli i parë në Opati i takon vitit 1884 dhe se 80% e qytetit është ndërtuar pas Luftës së Parë Botërore.
Ndërtimet në shumicë kanë “vulën” e qindvjeçarëve të largët. Ato janë të pëlqyeshme për syrin dhe në harmoni e në plotësim të të njëjtit koncept arkitekturor.
Thelbësore dhe jetike që kjo harmoni “mbretëron”, është se, pavarësisht nga largësia me bregun e detit dhe pavarësisht kush je ti që kërkon të tjetërsosh diçka, shansi është zero për të marrë një leje, në se kërkesa del jashtë kritereve të përcaktuara nga Bashkia, deri edhe për tonin e ngjyrës së objektit.
I tërë qyteti i ngjante një vile të vetme, që mbahet pastër nga një amvisë e vetme dhe nga gjithë banorët e saj. Edhe atje pihej duhan, por nuk pamë një paketë cigaresh të mbledhur shuk, madje asnjë bisht cigareje të hedhur në rrugë a bulevard; edhe atje ka fëmijë që hanë cruassant e patatina, por nuk pamë ambalazhe të tyre të flakura ku të munden; edhe atje të rinjtë pinin freskuese dhe birra, por gjithkush u drejtohej koshave shumëngjyrësh që rrinin pranë e pranë, veçmas për letrën, plastikën, qelqin etj.
Shpërthime ujërash të ndotura apo plasje tubacionesh të ujërave të bardha, ishin nga mungesat më normale në atë qytet me 10 mijë banorë, të shpërndarë në 60 km katrorë, aty-aty me Sarandën, me të gjithë periferinë e saj.
Nëntoka e Opatisë ishte arterie e sigurt e të gjithë atij që ne e quajmë rrjet inxhinjerik. Krizën për parkim nuk e pamë asgjëkundi, pasi hotelet dhe banesat kanë bërë zgjidhje të menduara në kohë, qysh në bërjen e projektit.
E tërë ajo që pamë dhe përjetuam në pak ditë, nuk do mend të kuptohet, se vjen nga një histori tjetër. Në ndërkohë që ne ishim nën Perandorinë otomane, ata ishin nën kupolën e Austro-Hungarisë dhe nën ndikimin e jetës së salloneve dhe koncerteve të Vjenës…
Diku në një prej parqeve, një trajektore si një metër që gjurmon rritjen e gjatësisë së një fëmije, jepte rritjen e Opatisë nga viti 1842 deri në 2010. Ja dhe një buton Fotospoti, ku çdo vizitor a turist që dëshiron, klikon mbi të dhe ka dërguar kështu foton e vet në arkivin e miqve të Opatisë në folderin e Bashkisë.