Butrinti me koncesion? Auron Tare: Ndërtimet do dëmtonin kontekstin historik, njerëzit pas projektit kanë koncept neo-kolonialist

Anëtari i Këshillit Kombëtar i UNESCO-s Auron Tare ka komentuar projektin që ka ngjallur prej ditësh debate për dhënien me koncesion për një afat 10- vjeçar për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Auron Tare e ka cilësuar projektin një model hibrid i cili nuk ekziston në asnjë vend të Evropës dhe se zhvillimi i ndërtimit në këtë zonë nuk është një koncept modern për ruajtjen e trashëgimisë.

Tare: Ky është një debat dy vjeçar dhe është një debat i vonuar pasi tani jemi para një fakti të kryer. Kam folur në media për një qëndrim ndryshe. Ky është një model hibrid që në Europë nuk ekziston. Është një koncept që ka probleme serioze. Njerëzit që janë mbrapa këtij projekti janë njerëz me koncept neo-kolonialist pasi kemi pasur shumë fërkime për mënyrën e konceptimit.
Butrinti është pasqyra e trashëgimisë sonë dhe nëse ne nuk arrijmë dot ta menaxhojmë vetë atëherë le tja japim të huajve. Në Mesdhe shumë qendra janë dëmtuar.

Unë isha dhe jam për konservimimin e këtij site për brezat e ardhshëm. Nëse do të kemi ndërtime brenda këtij parku të ruajtur do fillojë prishja e tij.

Ka një problem shumë të madh me planin e menaxhimit. Duhet një restorant patjetër duhet dhe një kafe patjetër por ka zona të caktuara.

Zhvillimet do të dëmtonin kontekstin historik dhe konceptin e parë, ‘ruajtja e peizazhit Homerik’, pasi kur ti shkon të Butrint ti kthehesh në histori, 100, 200 apo 1000 vite para. Në momentin që ti fillon ndërton është një koncept tjetër por jo një koncept modern për ruajtjen e trashëgimisë.