Bashkia Sarandë: Një karafil, një mesazh, shumë këngë për 8 marsin

Ky 8 Mars është përcjellë me një gjest me simbolikë të thjeshtë, por me mesazh të madh: për çdo vajzë dhe grua kalimtare të rastit nga qendra e qytetit të Sarandës, zonja të Bashkisë së këtij qyteti dhuruan një karafil, mbështjellë me logon e stampuar të Bashkixsë dhe me urimin e shkruar “Gëzuar 8 Marsin!”.

Artistët e Qendrës Kulturore dhe ata të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, dhuruan atmosferë të gëzueshme këngësh për Nënat, motrat dhe vajzat, në një skenë në natyrë, dekori i së cilës ishte një baner i madh me simbolikë lulesh dhe zemrash, me dedikim 8 Marsin.

Me dhurimin e një karafili, si urim dhe në shenjë vlerësimi, dhënë për çdo zonjë e zonjushë nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, i shoqëruar nga Nënkryetari Romeo Çakuli, ka nisur dita e punës më 8 Mars edhe në administratën e këtij institucioni.

Gratë dhe vajzat e sektorit të gjelbërimit, ato që me punën e tyre i japin gjithë vitin lule qytetit, janë gjetur sot në vendin e punës nga Kryebashkiaku Adrian Gurma e Nënkryetari Romeo Çakuli dhe kanë marrë nga një karafil, shoqëruar me urime. Po kështu, stafi i edukatoreve të institucionit të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” dhe stafi i zonjave që shërbejnë në konviktin shkollor në varësi të Bashkisë.

Bashkë me karafilin me fjongon dhe logon e Bashkisë, tek çdo punonjëse grua apo vajzë, si dhe tek publiku i gjerë, shkoi mesazhi i ndërgjegjësimit për të parandaluar dhe dënuar dhunën me bazë gjinore, si dhe masazhi për më shumë vlerësim dhe besim ndaj gruas në familje dhe në shoqëri.