Gjirokastër, arrestohet për një konflikt, 33-vjeçari “shkatërron” dhomën e sigurisë në komisariat
Një ngjarje disi e pazakontë ka ndodhur sot në qytetin e Gjirokastrës, ku arrestimi i një 33-vjeçari për një konflikt banal, mundoi më shumë se normalja, forcat e rendit.
Shtetasi O.C., banues në lagjen Cfakë të qytetit jugor, u arrestua në flagrancë pas një konflikti, dhe që në fillim kundërshtoi në mënyrë të dhunshme punonjësit e policisë që ndërhynë për të shmangur një përshkallëzim më të rëndë.
Por në ambientet e Komisariatit, tërbimi i të arrestuarit në vend që të shkonte drejt qetësimit, mori sërish flakë. I ndodhur në dhomën e shoqërimit, pasojat i ka kaluar kamera e sigurisë, që u shkatërrua totalisht.
Materialet në ngarkim të shtetasit O. C., i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.