Miq nga Korfuzi në zyrën e bashkisë Sarandë: Afrim midis dy brigjeve

Pas gati dy vitesh izolim për shkak të pandemisë, është realizuar takimi i parë mes drejtuesve të Bashkive në Sarandës dhe Korfuzit. Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma,i shoqëruar nga Nënkryetari i Bashkisë Romeo Çakuli,ka pritur homologen e vet nga ishulli i Korfuzit, zonjën Meropi Idhreu dhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak nga Bashkia fqinje, zotin Dhimitris Metallinos.

Mes tyre u shkëmbyen mendime për profilin e përbashkët turistik, për prurjen turistike në rritje, për fashën e turistëve, kapacitetet akomoduese dhe investimet në infrastrukturë. Dy homologët thanë se Saranda dhe Korfuzi mund e duhet të përfitojnë nga turizmi i integruar, në kontekstin që çdo turist që vjen në Korfuz të vijë edhe në Sarandë e anasjelltas, duke diversifikuar ofertat respektive. Ata folën konkretisht për ndryshimet në infrastrukturë dhe se si funksionojnë vendgrumbullimet e mbetjeve urbane në të dy qytetet.

Një moment i veçantë i bisedës mes tyre, ishte ai që lidhet me mungesën e burimeve njerëzore në shërbim të turizmit, duke u bashkuar në idenë se shkollat profesionale që funksionojnë në të dy qytetet, shtojnë shanset që të faktorizohen më shumë, nëse shkëmbejnë eksperienca mes tyre.

Me shumë bujari u prit kërkesa e zotit Gurma për të patur asistencën e Korfuzit fqinjë në realizimin e projektit që Saranda të ketë së shpejti Orkestrën Frymore të Fëmijëve, si dhe për të garantuar vijimësi në projektin futbollistik për t’u takuar në Sarandë çdo vit “Legjendat e Futbollit”,, përfshirë ekipin e veteranëve korfiatë, të penguar vitin e kaluar nga pandemia. Bashkiakët e dy qyteteve fqinie, me histori binjakëzimi rreth 30-vjeçare, shprehën vullnet të plotë për bashkëpunim të ngushtë, në të gjitha fushat, duke shpeshtuar kontaktet dhe komunikimin e konkretizuar me projekte dhe realizime.