Turistë italianë e francezë tur në bregdetin e Jonit

Turistë italianë e francezë po shijojnë bregdetin shqiptar në këto ditë të para të vitit të ri.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot foto të bëra nga turistët italianë e francezë të cilët po zhvillojnë një tur në Shqipëri.

“Mirëmëngjes nga Qeparoi, me këto foto të turistëve italianë e francezë që magjinë e peizazhit të bregdetit tonë e shijojnë po aq edhe gjatë dimrit”, tha Kumbaro.

Qeparoi, një ndër atraksionet verore të Bregut të Jonit mirëpret turistët me një pamje tërësisht të transformuar.

Shëtitorja e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik mesdhetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës.

Me financim të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve është bërë sistemimi i infrastrukturës nëntokësore, është ndërtuar pedonalja, trotuaret dhe sistemi i ndriçimit të hapësirave publike.

Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës.