Shënime nga Kulla Veneciane: Butrint, dimër 2002

Nga Auron Tare

Ishte një dimër i butë gri me shumë shi. Tek-tuk ndonjë lule e verdhë nxirrte kokën në pyllin e bukur të Butrintit.

Shiu që derdhej lumë mbi muret e vjetra të Kullës Veneciane kishte një ritëm të butë si defi i beduinëve të shkretëtirave.

Vera kishte mbetur pas. Asgjë nuk lëvizte më në Butrintin e lashtë dhe të qullur nga shiu dimëror. Gërmimet e Shkollës Britanike të Romës kishin qenë interesante edhe këtë verë.

Në Butrint kishim disa zbulime të reja, por  gjetja e disa monedhave romake më kishin intriguar shumë. Në një farë mënyre këto monedha kishin risjellë në vëmendjen tonë një ngjarje shumë të rëndësishme për Butrintin antik: fatin e kolonisë romake që u vendos në qytet pas një beteje të furishme në Senatin Romak.

Dimri gri, qetësia e pyllit apo fakti që qëndroja mbi rrënojat antike, më bënë që të lexoj më shumë mbi fatin e Kolonisë Romake e njohur si Kolonia Augusta.

Gjatë Lufts Civile midis Cezarit dhe Pompeit, në Butrint u vendos nj Legjion romak besnik i Çezarit. Pas triufmit në betejën e Farsales ku Çezari mbeti i vetmi fitues në fushn e betejës, si dhe hyrjes triumfale në Romë, ai ndër të tjera filloi reformën për ndarjen e tokave veterane të tij.

Ndoshta duke e njohur Butrintin kur marshoi përgjatë Vjosës në ndjekje të Pompeut, Çezari vendosi të dërgojë veteranët e tij në Butrint. Por ky vendim iu kundërshtua me furi nga banort vendas, të cilët u mblodhën rreth një figure të rëndësishme romaken –  Titius Pomponus Atticus.

Atticus, një bankier aristokrat romak, banonte të shumtën e kohës në vilën e tij në Butrint. I rrethuar me libra statuja dhe skllevër, ai priste miqtë e tij nga Roma, ndër të tjera dhe mikun e ngushtë, senatorin Cicero, të cilit i kishte botuar fjalimet e tij në Senat, duke qenë dhe “botuesi” i parë në historinë romane.

Cicero që kishte shpenzuar kohë të gjatë në vilën Atikiane të Butrintit përdori influencën e tij për të penguar ardhjen e legjionarëve në Butrint. Jane diku rreth 40 letërkëmbime midis Cicero dhe Atticus ku Butrinti është në qendër të vëmendjes të këtyre figurave të rëndësishme të kohës.

Me një lobim të fortë nga Cicero n Senatin Romak u duk se rreziku kaloi. Çezari premtoi se legjionarët e tij nuk do të vendoseshin në tokat e Butrintit, megjithëse sipas Cicero ky vendim ishte ndihmuar edhe nga një dhuratë e Buthrotasve/ Atticus për Çezarin në prag të fushatës së tij elektorale.

Premtimi i diktatorit mbeti pezull pas vrasjes së tij në Idet e Marsit në duart e senatit dhe te konsujve Mark Antoni dhe Publius Cornelius Dolabela. Me gjithë përpjekjet e Atticus dhe Cicero, anijet e koloneve mbërritën në Butrintë nën udhëheqjen e Praetorit  Munatius Plankus.

Por kolonistët u pritën mjaft ashpër nga popullata vendase dhe në një letër të Cicero mësojme se “Konsulli Dolabela e kishte vendosur fatin e Butrintit në një pozicion të sigurtë”, d.m.th., kolonët nuk do të vendoseshin në Butrint.

Por fati ndryshoi erërat e mbara të Butrintit që vinin nga Roma. Ngjarjet rrodhën me një shpejtësi të frikshme dhe, gjatë përleshjeve civile të Mark Antonit dhe senatorëve, Cicero u vra në mënyrë mizore në vilën e tij italike.