Pas përjashtimit të Tritan Shehut, PD emëron Roland Bejkon si drejtues politik në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar Roland Bejkon si drejtues politik në Gjirokastër. Vendimi u mor pas përjashtimit të Tritan Shehut nga PD, pas protestës së 8 janarit.

“Në mbështetje të nenit 33 të Statutit të Partisë, ju informoj se Kryetari i Partisë ka caktuar si Drejtues Politik të qarkut Gjirokastër, anëtarin e Kryesisë së PDSH z. Roland Bejko.

Në këtë mënyrë z. Bejko do të jetë edhe Kryetar i Këshillit Koordinues të Qarkut, që është struktura e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH në nivel qarku”, thuhet në një njoftim dërguar kryetarëve të degëve nga sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Më herët PD emëroi nënkryetarin Enkelejd Alibeaj si drejtues politik në Shkodër, pas dorëheqjes nga ky post i Helidon Bushatit.

Ndryshimet vijnë kur ka mbetur pak më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të pjesshme në 6 bashki të vendit, në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Mallakastër dhe Lushnjë.