Organizonin lojëra fati brenda lokalit, dy persona të arrestuar në Përmet
Policia e Përmetit njofton se ka arrestuar dy persona, pasi ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit brenda ambienteve të lokalit.
Pas kontrolleve të kryera në bar-kafen në pronësi të 40-vjeçarit me inicialet O.M u konstatua se ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Dy personat do të akuzohen për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet arrestuan në flagrancë O. M., 40 vjeç, banues në Përmet, administrator i një subjekti bar-kafe dhe E. L., 34 vjeç, banues Përmet, klient i subjektit. Këta të fundit u arrestuan pasi pas kontrolleve të kryera në bar-kafen në pronësi të 40-vjeçarit u konstatua se ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, nga këqyrja e aparatit celular të tij janë gjetur të dhëna që tregojnë për organizimin e basteve sportive online. Dy aparatet celularë u sekuestruan dy aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.