FNSH-ja dhe oficerët e SPAK zbarkojnë në Sarandë, kontrolle në zyrën e Prokurorit dhe zyrtarëve të arrestuar

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt dhe oficerët e Prokurorisë Speciale SPAK, kanë zbarkuar sot në qytetin e Sarandës dhe po ushtrojnë kontrolle në zyrën e prokurorit të arrestuar Sali Hasa, si dhe të personave të tjerë të prangosur bashkë me të.

Sali Hasa akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, ndërsa në pranga bashkë me të ka rënë oficeri i Policisë Gjyqësore Napolon Hodaj, arbitri Qerim Ruçi, zyrtari i klubit të Përmetit Bledar Hajredini, dhe katër shtetas të tjerë.

Arbitri Ruçi prej vitesh ka arbitruar në nivelet e ulëta, ndërsa Hajredini ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Përmeti në kohën kur luante futboll. “Paracaktim i rezultateve në garat sportive”, kjo është akuza që rëndon mbi ta.

Sipas detajeve që mësohen nga ky hetim, dyshja akuzohet se ka “kurdisur” ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Përmetit dhe Selenicës, e fituar me penallti nga Përmeti 0-1.

Burimet bëjnë me dije se prokurori dyshohet se ka marrë para nga një shtetase që t’i lirohej i vëllai, ndërsa oficeri i Policisë Gjyqësore ka mundësuar që një person tjetër t’i shpetojë arrestimit. Emri i tij mbahet sekret pasi nuk ka arritur të kapet.

Për të siguruar më tepër prova, oficerët e SPAK janë duke bërë kontrolle në zyra dhe shtëpi të personave të arrestuar, të mbështetur dhe nga FNSH-ja.

Julian Zera dhe Emiljano Mirani janë arrestuar gjithashtu pasi akuzohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; për këtë vepër penale është lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” e hetuara Elsona Papa.

Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”.