Ngriva-shkriva, Saranda me 3 gradë nën zero

Nga Thoma Nika

Sot…Një panoramë që nis me temperatura 3 gradë nën zero, tek ngrirja e shatërvanit në Sarandë dhe tek sfidantët, që kanë provuar ujin e detit, apo kanë lundruar me serfi në të.

Banorët e fshatrave të Bregdetit janë përballur edhe me ndërprerje të energjisë elektrike, ndërkohë që një 67-vjeçar në situatë rruge, u ndihmua nga Policia Bashkiake të mos flerë në streha pallatesh, pasi në konviktin shkollor iu ofrua strehim e ushqim i ngrohtë në këto ditë të ftohta.

Me shkas 24 janarin, si Dita Ndërkombëtare e Edukimit, në Sarandë u shpalos një botë plot me ngjyra dhe me ide kreative. Dje 158 nxënës të ciklit 9-vjeçar e të mesëm, e treguan këtë me përfshirjen në një konkurs pikture, vizatimi, esesh dhe videosh sensibilizuese të titulluar “Edu Art”.

Pikturat dhe esestë e paraqitura në këtë Konkurs u publikuan në format 70 x 50 cm përpara Bashkisë, në faqet e murit të hollit të institucionit që e inicoi këtë event dhe në disa pika publike në qytet.

Mes entuziazmit dhe interesit të të pranishmëve, u dorëzuan çmime për 28 punimet e vlerësuara më të realizuara në disa zhanre krijimi.

Emocionues dhe domethënës për fuqinë ndryshuese të Edukimit, ishte angazhimi, si moderator i dhënies së çmimeve, i një nxënësi me aftësi ndryshe nga Qendra për Zhvillim e Bashkisë së Sarandës.

Vetë ai meritoi Çmimin e Publikut, si më i klikuari në rrjetet sociale për videon sensibilizuese, me të cilën mori pjesë në Konkursin Edu Art 2022.

Për Sarandën ky ishte aktiviteti i parë i një zinxhiri veprimtarish të programuara për vitin 2022.

Në 24 janarin e një viti më parë, Saranda dhe Ksamili u bënë me Shtëpiza të Librit, (të vetmet shtëpi pa çelës), pasi u inicua lëvizja “Merr një libër, sill një libër”.

Në këtë 24 janar Konkursi “Edu-Art” ishte një tjetër gjetje, me impakt komunitar për edukim e krijim.