“Spektakël i shëmtuar i së kaluarës”, Basha sulmon Berishën: Nuk ka lënë kryetar dege pa rrahur

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat në seli, sulmoi ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, duke theksuar se ngjarjet e sotme në PD ishin “shenjë e qartë e ndarjes së plotë e të pakthyeshme me Berishën dhe me anën e tij të errët të historisë”.

“Ishte një spektakël i shëmtuar i të kaluarës, i asaj të kaluare që PD-ja ka vendosur ta lërë mbrapa. Shkaku i kësaj sjelljeje është se dje u mblodh Këshilli Kombëtar i partisë dhe u pasqyrua me transparencë. Jemi shkëputur nga e kaluara e mashtrimeve apo e rrahjeve në sallat e këshillave kombëtarë, që ka qenë pjesa më e zezë e traditës së Sali Berishës si kryetar i PD-së. Nuk ka lënë ish-kryetar të Partisë Demokratike pa rrahur, pa i thyer dhëmbët apo pa e nxjerrë zvarrë nga mbledhjet. Kjo e sotmja është shenjë e qartë e ndarjes së plotë e të pakthyeshme me Sali Berishën dhe me anën e tij të errët të historisë”, tha Basha.

“Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund. Në këtë betejë me SHBA-në, PD theu për herë të parë standardin e vendosur dhe i kërkoj ndjesë shqiptarëve. U mjaftova me pezullimin e Berishës nga partia, e bëra në një moment paqartësie me veten time. Por, sot nuk ka demokrat që nuk është i qartë. Në kulmin e dëshpërimit, Berisha ndërmori një akt që u kujtoi shqiptarëve skena të harruara nga pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale, që fatkeqësisht na faturohet edhe neve. Asnjë demokrat, asnjë anëtar i Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet në 18 dhjetor, nuk do t’i nënshtrohet presioneve”, shtoi Basha.

Sipas kreut demokrat, “regjimi do të mposhtet jo me një “non grata”, por me një parti në krah të shqiptarëve dhe në krah të SHBA-së, mbështetja e të cilës u shpreh qartë pak ditë më parë”.

“Me këtë mbështetje, demokratët do të arrijnë të përballen dhe të rrëzojnë regjimin e Edi Ramës, që shtë përfituesi numër një i tollovisë 3-mujore të Sali Berishës. Në vend që të merremi sot me hallet e të përmbyturve, me mbi 40% të familjeve që nuk ngrohin dot shtëpinë, me mbi 90% të familjeve që shpenzojnë buxhetin për faturën e dritave, ujit, taksave dhe ushqimeve bazike, ne sot po merremi me tollovinë e Berishës dhe këtë në nivel personal, nuk ia fal kurrë Berishës. Sali Berisha është bërë barrë për PD-në dhe pengesë serioze për luftën tonë opozitare”, deklaroi Basha.