Hapet aksi rrugor Orikum-Dukat: Lehtësohet qarkullimi drejt bregdetit të jugut

Ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat, me gjatësi rreth 15 km, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit dhe i jep një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e pranishme në Vlorë, aty ku janë në proces zhvillimi një sërë kantieresh ndërtimi me vepra publike, inspektoi aksin rrugor Orikum-Dukat, që hapet për qarkullimin e automjeteve.

Balluku tha se, “ky është një nga projektet më të rëndësishme që lidh Vlorën me tunelin e Llogorasë. Në qershor të 2024 ne do të dorëzojmë të përfunduar edhe ndërtimin e tunelin të Llogorasë që shkurton akoma më shumë rrugën në jugun e vendit. Ndërsa aksi Orikum-Dukat, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”.

“Ne e hapim këtë rrugë për të qenë e aksesueshme sa më shumë dhe për të facilituar sa më shumë periudhën e turizmit që është më shumë i përqendruar në zonën e bregdetit të jugut. Por ne do t’i rikthehemi punimeve për shtrimin e shtresës përfundimtare asfaltike pasi të mbarojë sezoni veror”, bëri të ditur Balluku, teksa vuri në dukje se ka përfunduar plotësisht vendosja e sinjalistikës.

Rruga e ndërtuar sipas standardeve më të mira, rrit sigurinë e lëvizjes dhe lehtëson qarkullimin, pasi ky aks shmang kalim në rrugën që kalon në shpatin e malit të Dukatit.

Ky aks rrugor është i kategorisë C dhe i jep zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh në aksin aktual kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës.

Projekti i rrugës përfshin edhe ndërtimin e 5 urave dhe një tuneli panoramik.

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.