EMRAT/ PD e Sarandës nis punët për zgjedhjet lokale, caktohet grupi i punës, rikthehen “Ish”-at

Drejtuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, ka qenë para disa ditësh në degën e PD Sarandë, ku ka zhvilluar një takim me kryesinë e degës.

Leskaj nisi kështu turin e takimeve në prag të zgjedhjeve lokale në Bashkitë Sarandë, Konispol e Finiq duke mobilizuar strukturat lokale.

Mes të tjerash, në mbledhjen e organizuar u bë i ditur dhe grupi i punës që do të udhëheqë proceset e rifreskimit të anëtarësisë, primareve por dhe fushatën elektorale për lokalet 2023.

Bëhet fjalë për Ylli Piro, ish-Kryetar i PD, Edmond Gjoka, ish-Kryetar i Bashkisë Sarandë, Kreshnik Bozho, ish-kandidat për Kryetar Bashkie në Sarandë dhe Matilda Qurku, ish-sekretare e degës.

Leskaj në fjalën e tij të bërë publike edhe në Facebook ka insistuar se njē organizim i mirë, partinë e ngre minimalisht me 10%, ndërsa në rast se organizimi çalon rënia është po me 10%.

Sipas Leskajt grupet e punës të ngritura nga kryetarët e degëve dhe kryesite e PD po intensifikojnë punët që, sipas udhëzimeve të PDSH dhe duke respektuar afatet, të zbresin në bazë dhe të vazhdojnë organizimin që nga seksionet e grupseksionet dhe, njëkohësisht, në lidhje të ngushtë me FRPD dhe LDG të rishikohen listat e anëtarësisë, të cilat duhet të përditësohen, në mënyrë që database e partisë të jetë reale në çdo moment.