Tri sfidat e Sarandës, në tryezë me banorët e 4 lagjeve

Trafiku, uji dhe pastrimi janë veçuar nga Kryetari Adrian Gurma, si tri sfidat e mëdha të Sarandës për vitin që vjen, në dy dëgjesat me banorë të katër lagjeve të qytetit.

Rreth tyre është diskutuar e janë shfaqur mendime të dobishme, pasi përmbanin shqetësim, përgjegjshmëri dhe angazhim qytetar.

Përtej vlerësimit të zgjidhjeve të mira që janë dhënë nga Bashkia aktuale për shqetësime apo mungesa konkrete, folësit në dëgjesa reflektuan interesa komunitare, duke anashkaluar kërkesat vetiake.

E përbashkëta e dy dëgjesave ishte takimi në idenë që Bashkia të mund të ofrojë më shumë investime dhe shërbime më 2022, brenda mundësive të saj financuese, ndërkohë që, për investime të mëdha të lobojë më mirë pranë qeverisë e tek donatorët, por edhe biznesi që fiton shumë duhet të jetë i përfshirë në dhënien e zgjidhjeve komunitare.

U nënvizua që, me këtë përdorim të alternuar të kapaciteteve, është plotësisht e arritshme që Saranda të ketë rrugë më të mira, furnizim më të garantuar me ujë të pijshëm, divorc nga ndotjet, trafik të lehtësuar, imazh dhe frymë mikpritjeje, që përkthehen në më shumë turistë dhe më shumë mirëqenie.

Sigurisht që thekset e forta u vunë në kërkesën që buxheti i vitit 2022 të parashikojë shpenzime të shpërndara në mënyrë të harmonishme midis lagjeve, duke zgjedhur në mënyrë të studjuar mes listës së propozimeve të bëra nga banorë të të katër lagjeve. Vështrimi u hodh përtej shetitores dhe qendrës, duke kërkuar që të bëhen investime edhe në rrugët e tjera të qendrës, siç është Rruga e Tregtarëve, apo në periferitë e në brendësitë e lagjeve, për të zvogëluar diferencat e derisotme.

U kërkua të shihet mundësia për parkim të nëndheshëm, të shtohen shkalkaret, të bëhen korrigjimet e gabimeve të bëra në vite në zgjedhjen e llojeve të pemëve dekorative, të krijohen Parqe Publike për rekreacion të të gjitha moshave, të investohet për t’i dhënë Sarandës terminalin akoma të munguar të autobusëve.

Po kështu, u fol për kurimin e nevojshëm të imazhit fizik, sidomos të pallateve më të hershme në moshë, apo unifikimin kohë pas kohe të fasadave të ndërtesave. Përvoja e funksionimit të administratorëve të pallateve, u vlerësua si nevojë dhe si burim të ardhurash për të investuar në imazhin dhe jetëgjatësinë e tyre.

Në fushën e kulturës qytetare u propozua që rrugët tona të arredohen me shije dhe me shpenzime të vogla të nxitet gara e kultivimit dhe ekspozimit të luleve nëpër dritare dhe ballkone.

U dha edhe një herë siguria se viti 2022 nuk do të ketë rritje të taksave dhe tarifave për qytetarët, ndërkohë që në favor të tyre do të shkojnë më shumë investime e shërbime, pasi këtë e lejojnë të ardhueat më të mëdha, që erdhën nga një sezon turistik më i mirë.

Njëherësh, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se “që të japim mbështetje të mirë, duam edhe mbështetjen e qytetarëve me plotësim detyrimesh dhe me qasje qytetare”.