Ahmetaj tregon detaje nga plani ekonomik kombëtar: Zero tatim-fitimi për biznesin e vogël deri në vitin 2029

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, bëri të ditur këtë të premte se të gjitha bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë do të përjashtohen nga taksa e tatim fitimit deri në vitin 2029.

Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se këto masa lehtësuese për biznesin e vogël vijnë në kuadër të planit kombëtar, që e cilësoi si plani “Shqipëria 2030”.

Ai u shpreh, se ky plan nuk bazohet thjesht tek teoritë ekonomikë, por tek planet dhe analizat konkrete, me synim përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Jam këtu sot për të komunikuar me qytetarët avancimin e planit kombëtar Shqipëria 2030. Plani Kombëtar nuk do të jetë një strategji e bazuar në teoritë ekonomike, por do të jetë një plan i detajuar zhvillimi me reforma konkrete, me aksione konkrete, me projekte konkrete dhe me një kalendarizim muaj pas muaj, dhe vit pas vit. Synimi i planit kombëtar është vazhdimi i transformimit ekonomik të Shqipërisë dhe realizmi i ëndrrës së madhe të shpitarëve për integrimin evropian të Shqipërisë.

Brenda planit kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar edhe kryeministri Rama dje, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat, për shqiptarët që bëjnë ose punojnë në biznesin e vogël, kryeministri dje ka komunikuar me shqiptarët iniciativën e fundit, që ka të bëjë me çlirimin  nga taksat për të gjithë biznesin e vogël, deri në xhiron 14 milionë lekë. Zero tatimi fitimi për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029.”, tha ministri.

Kjo masë lehtësuese theksoi ministri Ahmetaj do t’u krijojë shqiptarëve një mundësi më tepër për të ngritur një sipërmarrje, prej së cilës, do mund të punësohen  shumë individë  duke shtuar të ardhurat për familjet e tyre.

“Zero tatimi fitimi për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029. Kjo është një mundësi shumë e madhe për çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit që do të hapë një biznes, një fillesë sipërmarrjeje në republikën e Shqipërisë, do të jete i çliruar nga  taksat nga tatim fitimi, do të jetë e çliruar nga kontrolli i tatimorëve, dhe në këtë mënyrë do t’i bashkohet institucioneve shtetërore, në funksion të buxhetit të shtetit, duke presuar pozitivisht dhe shtyrë biznesin e madh të formatizohet çdo ditë dhe më tepër.

Zerimi i tatim fitimit, ashtu siç iu referua kryeministri dje, mund të shoqërohet me heqjen e tatimit të vlerës së shtuar.

Ne kemi angazhuar specialistë vendas e të huaj, në kuadër të planit kombëtar “Shqipëria 2030”, për të pasur reflektim për çdo shqiptar, që do të jetojë me punë të ndershme, për çdo shqiptar jashtë atdheut që do t’i kthehet punës në atdheun e vet’, shtoi ai.