Regjistrimi i pronave, prioritet kryesor për Bashkinë e Finiqit
Në një klimë bashkëpunimi shumë pozitiv, u zhvillua të premten në bashkinë e Finiqit takimi i 2-të me drejtuesit e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë, në kuadër të informimit dhe trajtimit të problematikave të shfaqura.
Qëllimi i takimit, i cili u zhvillua në prani të kryetarit të Bashkisë së Finiqit, z. Kristo Kiço, deputetit dhe mjekut Niko Kuri, drejtoreshës së ASHK-së znj. Aida Demi, si dhe specialistëve të të dy institucioneve, ishte informimi i plotë për problemet që ka në bashkisë Finiq lidhur me rregjistrimin e pronave dhe që konstatohen në gjithë hapësirën e bashkisë dhe veçanërisht në 12 fshtara ku nuk është kryer as rregjistrimi fillestar .
Në takim, Z. Kiço vlerësoi nevojën e fillimit të funksionimit të zyrës Kadastrale me seli në bashkinë e Finiqit, për shërbimin e shpejtë dhe më të mirë të banorëve të zonës.
Njëkohësisht ai informoi se deri më tani janë regjistruar rreth 15% e pronave. Më pas diskutimi vazhdoi me nevojën e përfundimit të procesit të regjistrimit të pyjeve dhe kullotave nga kompania DATECH dhe fillimin e procesit të legalizimit të banesave në fshatin e Finiqit.
Së fundi, u diskutua për zgjidhje të situatave që rezultojnë problematike që prej regjistrimit fillestar të pronave siç është rasti i fshatit të Brailatit.