Studentët “No-Vaks” të Sarandës. Po pse?!

Nga Thoma Nika

Viti i ri akademik nisi sot edhe në Filialin e Sarandës. Qasja ndaj vaksinës ka qenë leksioni i parë, që është dhënë. Një leksion me shumë dritë-hije, në fakt. Nga 250 studentë që ky filial ka numëruar në këtë vit të ri akademik (përveç masterit ku aplikimet janë në vijim dhe raundit të tretë të aplikimeve bachelor), askush nuk ka mbetur jashtë auditorëve, pavarësisht se vetëm 150 kanë hyrë në leksion duke treguar green pass. E thënë ndryshe, vetëm 60 % e tyre.

Po si ka ndodhur kjo? Një numër studentësh të tjerë janë lejuar të marrin leksione, pasi kanë treguar se kanë marrë dozën e parë dhe nuk pritet neglizhimi i dozës së dytë. Jashtë auditorëve nuk janë lënë as ata studentë që mosbërjen e vaksinës e kanë lidhur me arësye specifike shëndetsore, si alergjitë etj. Kjo kategori ka zënë 4-5% të totalit.

Një fashë më vete, ahumë më e madhe në numër, ishin ata studentë, që e kanë kaluar pragun me testet negativë, që kanë treguar. Përveçse nga laboratorë privatë me pagesë, bërja e testit është mundësuar edhe nga laboratori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetsor, pa pagesë. Kjo ka bërë që me këtë rrugë të arrijnë mospërjashtimin nga leksioni edhe ata që nuk janë të bindur se vaksina duhet bërë, që kanë dilema të mëdha ose thjesht i përkasin bindjes “no-vaks”.

Të tjerë janë pro vaksinës, por janë kundër politikave detyruese për ta bërë atë. E kjo kthehet në kundërshtim të hapur ose të fshehur dhe gjenden mënyra kamuflazhi.

Studentët janë kategoria më e rebeluar dhe më refuzuese e çdo lloj trysnie. Dëgjon prej tyre argumentin se vaksina me detyrim është thyerje e një të drejte kushtetuese, në kërkim të një lirie për të vendosur vetë për veten. Qarkullimi mes tyre i teorive për efektin negativ të vaksinës mbi shëndetin riprodhues, i bëjnë ata të jenë edhe më hezitues dhe “no-vaks”..

Nga ana tjetër, studentët janë cilësuar kategori risku përballë prekjes nga virusi dhe probabile për t’u kthyer në përhapës të tij.

E, megjithëkëtë, dita e parë e vitit të ri akademik 2021-2022, ka nisur pa studentë të lënë prapa derës së mbyllur të auditorit. Por edhe me jo pak përplasje mendimesh e qëndrimesh pro dhe kundër.

Dilema hamletiane “të jesh a të mos jesh”, është moderuar “ta bëj, a të mos e bëj vaksinën”. Kjo është çështja që qëndron para studentëve që i bëjnë dredha shiringës së vaksinës dhe diktatit me se s’bën!