Edhe hekurin e bunëkerëve shpartalluan…?! Me plakun e urtë Gëzim Xhaferri

Pas një ndalese verore, rikthet me bisedat e mënçura dhe filozofinë popullore, plaku i urtë Gëzim Xhaferri.

I ulur përballë detit, me peshën e viteve mbi supe, me lodhjen dhe brengat e dikurshme dhe me hallet e sotme nën shqetësimin e së nesërmes, tret vështrimin e tij në ujërat e kaltra të detit ku vozitin pulëbardhat.

Tret vështrimin në thellësinë e ujrave, mediton dhe bisedon me detin dhe duket se valët e tij i kthejnë përgjigjen. Një bisedim shpirtëror me shqetësimet e kohës dhe duket se shpirti zbrazet nga brengat që bart në brendësi të tij. Malli për fëmijët, miqt e shokët që janë larg vendit të tyre, në dheun e huaj në kurbet, brenga më e madhe dhe vrasja më mizore shpirtërore që po vuan ky brez.

E shkëputim nga meditimi dhe pas përshëndetjes deshifron meditimin bashkëbisedues me detin: “ Përherë kam ëndërruar këngën që kur njoha veten e deri më sot. Më duket si melhem shpirtëror, si një ngushëllim për fatkeqësinë e braktisjes që na ka mbërthyer si komb e si Shqipëri më keq. Dhe sot pyes veten dhe detin se kush është vallë i lumtur në këtë botë? Kemi 80 vjet që nuk na dalin për zot. E them këtë se jemi vendi më i pasur me njerëzit më të varfër. Shikoni lajmet.

Vjen bota dhe pasurohet me pasuritë tona që Zoti nuk na i ka kursyer dhe shqiptarët marrin arratinë e ata që janë këtu nuk kanë lek për bukën e gojës se për ilaçet nuk bëhet fjalë. Përsëri shtrenjtësi dhe rritje çmimesh…?! O Zot ç’po ndodh me neve? Atë që dëshiroja dhe ëmdërroja unë nuk arriti kurrë…Gjendja është e mjerueshme dhe tepër dëshpëruese dhe e pa shpresë. U larguan shumica. Po pse? Për mirëqënie dhe për arsimim të fëmijëve se këtu u shkatërrua gjithshka.

Shikoni se shumë djem e vajza shqiptare emigrant kanë mbaruar universitetet në shtetet që jetojnë, madje me nota të shkëlqyera, por asgjë nuk u premtohet këtu. Këtu në këtë vend kaluan 30 vjet që u ndryshua sistemi dhe populli është varfëruar e po heq të zezat e ullirit.

Kjo gjenaratë që ka mësuar e është arsimuar jashtë është shumë e përgatitur dhe e predispozuar të drejtojë shtetin drejt një demokracie të vërtetë në standartet e vendeve të zhvilluara, por pengohen nga politikanët e vjetër që e kanë mbërthyer shtetin me tentakulat e aktapodit të korrupsionit. Gjenerata e re është e etur dhe plot atdhedashuri për ta bërë popullin e saj mirë, por politikës së ditës nuk u duhen specialista se dhe vet nuk janë specialista, por ndërrojnë profesione si agronomin e bëjnë oficer e anasjelltas duke sjellur anarshi në shtet.

Mund të jap një shembull vulgar; na gjeti si ajo lopa që mbetet pa zot në mes të fushës dhe gllabërosen të gjithë në këtë mish të saj. Aq të babëzitur janë sa edhe hekurin e bunkerëve shpartalluan dhe e shitën. Mendoni se s’kemi ç’presim më nga këta. Duhet gjenerata e re e arsimuar dhe e mbrujtur me dashurinë për popullin dhe atdheun.”- përfundon mendimin plaku i urtë e i mënçur Gëzim Xhaferri.

Agron MEMA

Sarandë; 23 tetor 2021