Mund edhe të na vrisni është aq në modë…

Nga Adriana Dizdari

Sapo isha kthyer nga puna, kur më bie telefoni i shtëpisë me një farë këmbëngulje. E ngre, dhenjë zë i ngrohtë gruaje më pyet.

Jeni familja Dizdari ?Po, – i përgjigjem.Nuk mund të rrija pa ju marrë në telefon….shpresoj të mos ju bezdis.Jo, aspak…..Atëhere po hyj në temë. Jam mjeke në spitalin ushtarak. Sapo u ktheva në shtëpi e lodhur dhe e stresuar…….hap radion dhe një melodi e bukur, sa e trishtuar po aq shpresëdhënëse, mbushi apartamentin. Ja dhe zëri i Gaqo Çakos që më bëri të më shkojnë mornica në trup.

Ishin kollona zanore të filmave. Si me magji m’u larguan lodhja dhe shqetësimi. U ndjeva e lehtë dhe plot shpresë. Muzika e bashkëshortit tuaj është e mrekullueshme. Më duhet t’ju falenderoj edhe juve, që i krijoni kushtet emocionale për të kompozuar.

Nuk ishte hera e parë që telefoni na dërgonte të tilla urime dhe falenderime, por nuk di sepse, zëri i kësaj gruaje, i kësaj mjekeje, më tingellon edhe sot i pastër në vesh.

Ndoshta ngaqë mund tëkem qënë edhe unë në po ato valë emocionale lodhjeje dhe stresimi, ndoshta emocioni i zërit të saj kishte diçka të veçantë që e përjetonim ne gratë kur ktheheshim nga puna …… fëmijët, rregulli i shtëpisë, ekonomia etj…… Sidoqoftë, u ndjeva krenare, e prilivegjuar, që muzika e bashkëshortit tim depërtonte në familjet shqiptare si një melhem për të qetësur disi majisjet e kohës, të fukarallëkut dhe egërsisë. Po ajo çfarë më entusiazmoi ishte sinqeriteti dhe dashuria për të bukurën që e ndjeja se jetonte në shpirtin e shqiptarëve.

Ky motivi i “së bukurës” që të lehtëson jetën e mbushur me sëkëlldira, u bë trajektorja tonë edhe në vitet që pasuan, plot me peripecira për të gjithë kombin.

Në këtë shkrim nuk dua të ankohem dhe as të bëj viktimën por vetëm të them të vërtetën si një shqetësim shumë të madh shoqëror i cili na përket të gjithëve, sado larg të jemi.

Vendimi që morëm për t’u larguar nga Tirana (ose “arratisur”, siç thotë në një shkrim i paharruari Kiço Blushi), tashmë pa atë atmosferë frymëzuese krijuese aq të dosdoshme për krijuesin, ishte vazhdimi i normalitetit të jetës tonë : të bëjmë muzikë dhe të edukojmë fëmijët me dashurinë për artin, muzikën, librin, me gjithçka që i bën fëmijët të rriten si qytetarë të ndershëm dhe dinjitozë.

Dhe kështu, mes debatesh (fillimisht une nuk isha dakort), vendosëm të shesim shtëpinë në Tiranë, për të rindërtuar ish kino-teatrin e Ksamilit, të shkatërruar si nga ndonjë betejë kafshësh prehistorike. Sipas ekspertëve 80% e ndërtesës ishte e rrënuar.

Ne mes vështirësive të paparashikuara, të çuditshme nga përmasat, si fizike shpirtërore dhe financiare, erdhi momenti të inagurojmë sallën e madhe të koncerteve me edicionin e 7të të konkursit ndërkombëtar “Këngët e Tokës”. Që nga ky moment, evente të ndryshme mbushnin teatrin “Dafinat”. Vitet e para gjithçka shkonte mbarë. Qëndra “Dea” mori pamjen e një institucioni artistik – kulturor të nivelit të lartë , evente të llojeve të ndryshme mbushnin sallën koncertore “Dafinat”.

Por pikërisht në këtë kohë filluan të hapën orekset e njerëzve, që mbinë nga hiçi për t’u prezantuar si pronarë…. dikush e kish blerë nga sindikatat, dikush nga konfederata, një tjetër kishte punuar në kafenenë e vogël në kohën kur bëheshin brezaret dhe disa të tjerë pretendojnë ta kenë blerë në “ankand” anonim nga konfederata. Çudi e madhe!!!!

Japin e marrin sikur të jenë zotër të botës, pa pyetur dhe pa ndërgjegje se ku shkelin. Mos është mall pa zot? Sigurisht kështu quhet kur pushteti vendor nuk i del për zot dhe ta regjistrojë si pronën e tij të ligjshme, sipas ligjeve të shtetit.

Apo lihet me qëllim ?

E turpshme dhe cinike kjo sjellje. Pas 23 vjetësh pune dhe qëndrimi në Ksamil, ku ne nuk erdhëm si uzurpatorë por sipas ligjeve të shtetit, vijnë disa të panjohur, shqyejnë derën me kangjella hekuri, futin makinat në oborr dhe na urdhërojnë: shporruni ! është prona jonë !

Terror psiqik ! Cili është kontributi juaj, zotërinj, që guxoni të ushtroni forcën urdhëruese ndaj dy artistëve të pambrojtur, që bëjnë vetëm punën e tyre me vetmohim? Sigurisht ju mbron dikush që është më i fortë se ju, nuk ka se si të jetë ndryshe, përderisa nuk i bindeshit as policisë. Po kjo është mizore ! Ndoshta shpresoni që të vdesim?

Nuk vdesim, se na mbron puna jonë, na mbrojnë qytetarët e ndershëm të Ksamilit dhe Sarandës, na mbron tërë opinioni publik që e do atdheun e vet, që e do artin dhe kulturën e vëndit të vet, që do t’i shohi fëmijët e vet të rriten të shëndetshëm dhe të ndershëm. Për këtë flet peticioni i firmosur nga shumë qytetarë të cilët, me firmën e tyre, kanë ngritur zërin për artin dhe kulturën në jetën e tyre ; për këtë flasin 14 pianot e blera nga qytetarët e Ksamilit dhe Sarandës, përveç 5 pianove që disponon Qëndra Dea.

Na mbron salloni i librit “Migjeni”, salloni i veprave të artit “Buza”, na mbrojnë bustet e Naimit, Nolit, Bethovenit, Çajkovskit. Kjo Qëndër Arti është pronë e tërë komunitetit të Ksamilit, edhe më gjërë. Keshtu që duhet të mos shpresoni.

Po ka një zgjidhje për ju, të nderuar zotërinj zaptues, të dukshëm dhe të padukshëm.

MUND TË NA VRISNI……ËSHTË AQ NË MODË SOT ! Mënyrat janë nga më të ndryshmet dhe efikase. Po !

MUND TË NA VRISNI !

Se ne kemi gabuar që ëndërruam më shumë nga ç’duhet, gabuam që e shpëtuam nga rrënimi i plotë këtë godinë, gabuam që u thamë fëmijëve ‘hajdeni në kursin e baletit, të pikturës, mëso piano, mëso violinë, mos rri në rrugë po merr një libër dhe lexo’. Gabuam që ftuam komunitetin të ndiqte shfaqjet teatrale, të ndiqte shfaqjet e cirkut, koncertet e fëmijëve të Ksamilit dhe Sarandës, të ndiqte eventin “ Miss Ksamili”, të ndiqte diskutimet krijuese të shkrimtarëve sarandiotë…

Gabuam që organizuam evente për Vitin e Skënderbeut, për Fan Nolin, për ngjarjet historike të marrëdhënies me SHBA etj, etj. Sigurisht gabuam që e bëmë të mundshme që fëmijët tanë të Ksamilit e Sarandës të studjojnë në Universitetin e Arteve, në Konservatorin Superior të Lionit, ne Francë, që të tjerë endërrojnë të bëhen inxhinierë, arkitektë, mjekë, po të jenë edhe pianistë.

Sa gjë e bukur ! Mos gabuam që ngritëm një teatër opere në jug të vëndit si shprehje e dinjitetit të një komuniteti që e do të bukurën, që ëndërron për të ardhmen e fëmijëve të tij? Sa shumë më revolton kjo heshtje e pushtetit ! Në vënd që të na mbështesnin moralisht të paktën, me heshtjen duan të na denigrojnë. Dihet përse.

Eh, kemi gabuar shumë, të dashur miq dashamirës, sepse ëndrrat të çojnë larg, atje ku jo çdokush i kupton, por po ju them se jemi krenarë për ç’ka kemi bërë dhe do të bëjmë në këtë qëndër arti.

Vetëm me buldozer mund të na sikterisni që këtej, ju uzurpues. Urdhëroni, bëjeni ! Turpi do bjerë mbi ju, kushdo qofshi !

Prandaj e kujtoj sot atë mjeke që me zërin e ngrohtë plot dashuri më tha ‘bashkëshorti juaj shkruan muzikë të mrekullueshme që na qetëson shpirtin’.

Vazhdon të shkruajë bashkeshorti im, duke dalë mbi trusnitë e shumëllojshme. Po pse të torturohemi ? Më thoni, pse. Pse nuk na lenë rehat të bëjmë punën tonë, të bëjmë atë që kanë më shumë nevojë fëmijët tanë, të rinjtë tanë, të japim kontributin tonë që të edukohen me respektin ndaj vlerave të kombit tonë, të njohin muzikën e Çesk Zadesë, Tonin Harapit, Kujtim Laros, Feim Ibrahimit, Nikolla Zoraqit e të shumë të tjerëve të cikët janë akoma mes nesh. Të njohin muzikë nga Bethoven, Bach, Shopen, Çajkovski, Brams etj …..

Një thënie e SAMI FRASHËRIT e shkruar në një banderolë dhuratë nga prindër të nxënësve tanë, e varur në gardhin rrëthues të qëndrës thotë:

NË DO TË MBJELLËSH PËR NJË VIT, MBILL MISËR E GRURË, NË DO TË MBJELLËSH PËR GJITHMONË, MBILL ART DHE KULTURË

Adriana PRIFTULI DIZDARI

Drejtore e departamentit të edukimit

Limos dhe Adriana Dizdari kishin denoncuar në maj 2021 kërcënime, që sipas tyre, u ishin adresuar atyre.