Lulzim Basha merr vendimin: Përjashton Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD
Lulzim Basha ka vendosur të flasë më në fund për shpalljen e Sali Berishës familjarisht ‘non-grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Pas mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD, Basha ka dalë në një konferencë urgjente për shtyp.
Kreu i PD surprizoi jo pak teksa komunikoi vendimin e tij. Ai tha se që prej ditës së nesërme, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë më pjesë e Grupit Parlamentar të PD. Sipas Bashës, ky vendim do të jetë në fuqi derisa të merret një vendim nga Gjykata në Paris, ku Berisha ka paditur sekretarin Antony Blinken.
Pjesë nga deklarata e Lulzim Bashës:
“Sali Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për demokracinë. Kur të gjithë ne prisnim që të dënohej Edi Rama si autor i masakrave elektorale dhe si i lidhur me krimin, ne na u desh të përballeshim me vendimin e SHBA. Vendimi i DASH nuk cënon arritjet e Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij. Për të shmangur çdo keqkuptim, kam vendosur që deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës për transparencë në rrugë gjyqësore, zoti Berisha të mos jetë anëtar i Grupit të PD”.