Shahini flet për hapjen e shkollave: Do vendosim në fund të prillit, kemi gati dy skenare

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka deklaruar se në fund të këtij muaji do të merret vendimi për vijimësinë e zhvillimit mësimor në shkolla.

Përmes një komunikimi në facebook, Shahini tha se Ministria i ka të dy skenarët në dispozicion; hapjen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit online.

“Nuk ka ende një vendim final për mbylljen e vitit shkollor, do ta kemi në fund të prillit. Po shohim situatën me koronavirusin sesi po zhvillohet ajo dhe po presim një vendim nga task forca për koronavirusin nëse do të kthehemi në shkolla apo jo.

Sidoqoftë ne i kemi të gjithë skenarët gati si në rastin që të kthehemi në shkolla si në rastin që nuk kthehemi në shkolla dhe do të zbatojmë njërin nga këto skenarë”.

Ministrja Shahini tha gjithashtu se në fund të prillit, do të botohen edhe planet e reja orientuese për maturën. Ndërkohë tha se edhe për vitin akademik vendimi do të merret në fund të prillit.

“Studentët pyesin për mënyrën si do mbyllet viti akademik. Ne po punojmë ngushtë me rektorët, dekanët, shefat e departamentit që të shohim se çfarë kanë planifikuar universitete e ndryshme për mbylljen e vitit akademik.

Ne po koordinojmë punët me ta, por në fund të ditës vendimmarrja është e Universitetit. Por në fund të prillit do të marrim një vendim të përbashkët edhe për mbylljen e vitit akademik”.