Përplasja me armë tek “Orange” në Sarandë: Të rinjtë nuk tremben, mbushin plot lokalin

Dy javë ka kaluar nga sulmi me armë që ndodhi në ‘Orange club’ në Sarandë, ndaj pronarit Spiro Iljadhi.

Kjo nuk ka ndikuar aspak që të rinjtë të rikthehen në ambientet e clubit, nga i cili disa prej tyre dolën të tmerruar mbrëmjen e 20 qershorit.

Mbrëmjen e djeshme këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri ‘elektrizoi’ skenën, duke i dhuruar argëtim të rinjve, që duhet thënë nuk ishin të pakët. Në video, dallohet qartë që clubi është ‘full’ dhe të rinjtë po argëtohen në maksimum.

ÇFARË NDODHI MË 20 QERSHOR?

Spiro Iljadhi, pronari i “Bar Orange” dhe “Orange Club” u qëllua me breshëri plumbash, dy ditë më parë, pas një sherri në klubin e tij. Autorët zbrazën rreth 20 plumba drejt tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, në afërsi të një lokali në lagjen nr.1 në Sarandë, në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukos”, brenda lokalit “Orange Club”.

Një makinë tip Range Rover është filmuar nga kamerat e sigurisë duke lëvizur dhe dyshohet se është automjeti që iu përket autorëve. Dy vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi, si dhe Redjan Hadëraj, janë autorët që plagosën me armë zjarri biznesmenit Spiro Iljadhi dhe aksidentalisht një kalimtar të rastit, Marin Jano.