Pas Sarandës, Dua Lipa zbret me jaht luksoz në Drimadhë

Një tjetër ditë të qëndrimit në Shqipëri, këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka vizituar në një prej plazheve shumë të frekuentuara të bregdetit të Detit Jon.

Pasi ka rrugëtuar nga Saranda, e pashqetësuar shumë nga pushuesit tjerë, bashkë me familjen, siç mund të shihet në pamjet autentike të Albanian Post, ajo është parë në Drymades Inn, një prej resorteve turistike shumë të njohura në jug të vendit.

Kjo është ndalesa e radhës e yllit botëror të muzikës pop, në turneun e saj në Shqipëri, që nisi javën e shkuar me takimet me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Së bashku me Veliajn ajo kishte inspektuar punimet në një kopsht fëmijësh, i dëmtuar gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe i rindërtuar me mbështetjen e Sunny Hill Foundation.

Dua po ashtu ka vizituar Kalanë e Krujës dhe më pas bashkë me familjen e saj është parë në një darkë private me kryeministrin Rama, fotografitë nga e cila kanë bërë xhiron e rrjetit.

Në deklarimin e parë dhe të vetëm gjatë kësaj vizite, ajo ka komentuar shumë aspekte të karrierës së saj, përfshirë edhe mundësinë e publikimit të disa këngëve në gjuhën shqipe.

Mirëpo, ajo nuk e ka qartësuar nëse do ta mbajë një koncert më datën 10 gusht, me përkrahjen e Bashkisë së Tiranës edhe pse paraprakisht ka qartësuar se edicioni i radhës i Sunny Hill Festival nuk do të mbahet sivjet, por vitin e ardhshëm.

Turneu turistik i Dua Lipës do të vazhdojë edhe disa ditë, përgjatë së cilave ajo do të bëjë edhe të tjera vizita në lokacione me rëndësi për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe pjesën tjetër do ta kalojë në një prej resorteve luksoze në jug të vendit.