Gjykata Sarandës e la në burg, gjyshja mes lotësh: S’është e vërtetë! E ëma ka probleme mendore

Gjykata e Sarandës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Remilda Hajdinaj, e cila u ndalua dy ditë më parë, pasi akuzohet për “dhunë ndaj së emës”.

Lënia në burg ka irrituar mbrojtjen, pasi avokatja e 25-vjeçares e ka konsideruar një masë të pavend për faktin se e akuzuara ka paraqitur një raport mjeko-ligjor, që vërteton të kundërtën, pra që 25-vjeçarja është dhunuar nga e ëma.

Nga dëshmia e gjyshes së 25-vjeçares, vajza e saj vuan nga problemet e shëndetit mendor dhe se ka qenë pikërisht ajo që ka dhunuar të renë. Po ashtu mësohet se kjo e fundit ka nguruar që të denoncojë nënën. Ndërkohë që nëna ka denoncuar në polici 25-vjeçaren.

Gjyshja e Remildës, tha se mbesa është e pafajshme. Ajo e ka rritur vetë Ildën, siç e thërret shkurt, pasi e ëma e ka lënë të vogël dhe kish ikur në Francë ku jetoi afro 20 vjet. Ajo është kthyer para dy vitesh, duke shfaqur më pas dhe probleme mendore.

“Vajza e vogël ishte brenda, ndërsa unë isha te kopshti. Mbesa donte ta kthente nga rruga nënën e saj, por kjo e fundit u shtri te porta gjatë e gjerë. Thirrëm një gjiton që të na ndihmonte, dhe vajza ime e bëri mbesën sikur e kishin ngrënë qentë. Ajo e dhunoi. Vajza ime ka probleme. Fjalët i flet shqip mirë, por pastaj njëherë i jep si puna e lopës. Ajo ka jetuar në Paris për shumë vite. Ajo zemërohej një çikë dhe merrte. Vajza është sjellë shumë mirë me të ëmën. Një ditë vajza ime e ka dhunuar mbesën. Ildën e lindi ajo, por e kam rritur unë. Njëherë më miell, njëherë me sheqer. Unë e di se çfarë kam vuajtur. S’dua të rrijë në burg mbesa, gjynah nga Zoti”, tregoi mes lotësh e moshuara.