Vrasjet në Vlorë, prokuroria kërkon më shumë polici në qytet
Pas një sërë ngjarjesh të rënda në Vlorë Prokurori i Rrethit Aurel Zarka tha se qyteti kishte nevojë për shtim të forcave policore para sezonit turistik. Zarka tha se hetimet standarde kishin dështuar të gjenin prova mes krimeve për të cilat kishte dyshime se ishin të lidhura.
Nga Jerola Ziaj
Vrasja e dytë brenda dy javëve në Vlorë duket një skenë e përsëritur. Atentatorët kanë zënë pritë, kanë qëlluar shënjestrën dhe më pas kanë djegur makinën dhe në këtë rast edhe armën e krimit.
Viktima 42- vjeçari Altin (Shkëlzen )Velaj i vrarë të mërkurën, është vëllai i Ardi Velaj, i vrarë në atë që njihet si masakrën e Çoles, ndodhur në 7 Prill të 2015-ës, në të cilën u vranë po ashtu edhe Albi Limaj e Haki Rakipi. Për krimin u dënuan Aleksandër Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.
Por ndërsa për vrasjen e 6 vjetëve më parë u gjetën autorët dhe u dënuan, një sërë krimesh të ndodhur pas saj, por që dyshohet se janë të lidhura me të, mbeten pa ndëshkim.
Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i tha BIRN, se ka dyshime që ngjarjet janë pasoj e konflikteve dhe ngjarjeve të mëparshme, por deri më tani sipas tij nuk ka prova shkencore që mund të faktonin informacionin e siguruar në rrugë operative.
Pas vrasjes së fundit Zarka kërkoi më shumë prani policore në Vlorë, ndërsa pritet të fillojë edhe sezoni turistik. “Për përmirësimin e situatës mund të ndihmonte shtimi i efektivëve të policisë në terren, angazhimi i FNSH-së etj. Pasi sezoni turistik ka nevojë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, – tha Zarka.
Prokurori tha edhe se policia duhej të ndryshonte mënyrën se si hetonte ngjarjet dhe të provonte lidhjet mes tyre. “Po punohet, por hetimi policor mbetet në kuadrin standard. Sekuestrimi i kamerave të sigurisë, zbardhja e tabulateve dhe provat procedurale në vendngjarje nuk kanë arritur të japin rezultat”, tha Zarka.
Ai tha se policia kishte informacion për grupet kriminale dhe aktivitetin e tyre, por puna për të parandaluar krimet nuk ishte e duhura. “Pasojat dëshmojnë se puna ka lënë për të dëshiruar, kryesisht parandalimi, pasi informacioni për grupet kriminale dhe aktivitetin e tyre nuk mungon”, tha Zarka.
Drejtues të policisë nuk komentuan mbi ngjarjet e fundit. Zyrtarisht policia tha se po hetonte dhe se disa persona ishin shoqëruar tashmë në lidhje me vrasjen.
Të paktën 6 të vrarë dhe një numër i njëjtë të plagosurish besohet se lidhen me përplasjen e krijuar pas krimit të vitit 2015.
Vrasja e Velajt, që është e më e fundit e serisë, ndodhi pak para mesnatës së të mërkurës. Viktima Shkëlzen Velaj është qëlluar në momentin që tentoi të hynte në shtëpi. Policia tha se ai ishte qëlluar rreth 15 herë.
20 minuta më vonë, një automjet tip BMW është gjetur duke u djegur në Risili të Vlorës ndërsa në brendësi të tij, policia ka gjetur një kallashnikov që dyshohet si arma e krimit. Automjeti sipas burimeve paraprake ka qenë pa targa.
Pas ngjarjes në Vlorë janë vendosur trupa të RENEA-s ndërsa mësohet se janë bërë një sërë kontrollesh në disa banesa në Selenicë.