SPAK lë në burg prokurorin Sali Hasa dhe 4 të tjerë, liron vetëm…

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dhënë masën e arrestit me burg për prokurorin Sali Hasa, dhe për 4 persona të tjerë.

Ndërkohë që me masën e arrestit të shtëpisë është lënë vetëm zyrtari i klubit të Përmetit Bujar Haredinaj.

Kështu gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg edhe për:

Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.

GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

Kurse ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.

Prokurori Sali Hasa dyshohet se ka marrë para, kundrejt pushimit të çështjet për Miranin, i cili akuzohej për plagosje të lehtë me dashje, ndërkohë që e motra e tij Papa, punonjëse e policisë bashkiake, dyshohet se ka negociuar për lirimin.