Pamjet që ‘fundosin’ prokurorin Hasa në Sarandë, policja bashkiake i hyn në zyrë me uniformë dhe i jep para për t’i liruar të vëllanë

Ka përfunduar në ambientet e GJKKO seanca për dhënien e masës së sigurisë ndaj prokurorit Sali Hasa. Gjykata është tërhequr për vendim të cilin do ta japë më orën 16:00.

Referuar dosjes hetimore korrupsioni është zbuluar nga përgjimet ambientale dhe vëzhgimet në terren. Fax neës ka sigurar një pjesë te dosjes hetimore ku duket motra e Emiljano Miranit, e cila është duke u futur në ambientet e zyrës së prokurorit Hasa.

Elsona Papa, me detyrë punonjëse e policisë bashkiake në Sarandë, shihet teksa hyn në zyrën e prokurorit e veshur me uniformën e punës, ndërsa në momentet që flasim ajo ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë.

Dyshohet se ajo i ka dhënë para prokurorit Hasa, në mënyrë që të pushonte akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” në ngarkim të vëllait të saj, i cili ishte arrestuar.

Prokurori i Sarandës Sali Hasa, është arrestuar me urdhër të SPAK, për shkak se ka rezultuar në përgjimet për një grup të trafikut të drogës, se ka marrë para kundrejt pushimit të çështjes për një të arrestuar.

Hasa dyshohet se ka marrë rryshfet për pushimin e akuzës për ”plagosje të lehtë me dashje” ndaj Emiljano Miranit, përmes motrës së këtij të fundit Elsona Papa.

Prokurori Hasa është një nga anëtarët e akuzës që ende nuk është futur në procesin e Vetingut, dhe jo më larg se në muajin Mars ai do të hiqte dorë nga rritja në detyrë, përmes një shkrese që i kishte nisur KLP-së.

Hasa sqaronte se ai hiqte dorë nga gara për pozicionin e kreut të prokurorisë së Sarandës, me pretendimin se kishte probleme shëndetësore.