Nga Shkodra në Ksamil/ Paralajmërohet operacion i madh për prishjen e ndërtimeve në bregdet, Rama ultimatum: Keni 1 javë kohë t’i prishni vet, ose ju pret…

Forcat e Policisë së Shtetit dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pritet të nisin të hënën e ardhshme një operacion për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Operacioni “Bregdeti im” që do të nisë javën tjetër, parashikon shembjen e të gjitha ndërtimeve pa leje nga një deri në katër apo më shumë kate.

Kryeministri Edi Rama është shfaqur krah ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, drejtorit të Kadastrës Artan Lame dhe kreut të Policisë Ardi Veliu teksa ka paralajmëruar ndëruesit.

Rama i ka dhënë atyre një javë kohë të nisin vetë shembjen e ndërtimeve pa leje, në të kundërt, do të përballen me përgjegjësitë e rënda që parashikon ligji.

“Dua ti përcjell këtë mesazh të gjithë atyre që janë në shkelje të ligjit. Të lexojnë Kodin Penal dhe të marrin masa, të fillojnë t’i prishin vetë! Të lexojnë Kodin Penal dhe ta dinë se çfarë i pret. Pjesë e zinxhirit të përgjegjësisë janë edhe punonjësit. Të gjithë do ndalohen dhe penalizohen. Më e rëndësishme është që kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këti vendi. Nuk mund të lemë që për arsye të situatave të komplikuara si tërmeti e pandemia, të bubërrojë ky lloj aktiviteti i paligjshëm. SHÇBA do t’i shkojë deri në fund kësaj pune. Dua t’i jap një mesazh shumë të qartë të gjithë cënuesve të kësaj pasurie, tërhiquni tani. Me 1,2,3,4 kate do të shembet, jo vetëm që do të shembet, por do të mbani përgjegjësi”, deklaroi Rama.

Mesazhi i Ramës:

Shëngjin – Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit)

Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit

Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju