Legalizimi i ndërtimeve jashtë kritereve/ Lame: Ksamili ka probleme të mëdha

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se ndërtimet pa leje në breg të detit duhet të prishen.

Deklarata e Lames u bë gjatë një takimi në Shëngjin në kuadër të operacionit “Bregdeti Ynë”, që nis javën e ardhshme ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces e në thyerje flagrante të Kodit Penal.

“Të gjithë investitorët që kanë ndërtuar me leje e presin pozitivisht ndërhyrjen për pastrimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare”, tha Lame.

Vetë gjiri i Durrësit, që mban edhe peshën më të madhe të turizmit detar, tha ai, ka disa ndërtime me leje që po përgatiten për sezonin dhe gjenden në situatën kur bllokohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre për shkak të ndërtimeve pa leje.

Njëkohësisht, Lame tha se “po bashkëpunojmë me strukturat e Policisë së Shtetit që në zonat në breg të detit t’i listojmë objektet që nuk mund të legalizohen dhe t’i nxjerrim në grup”.

Lame kërkoi edhe bashkëpunimin e policisë për të evidentuar shkelje të punonjësve të Kadastrës për legalizimin e ndërtimeve jashtë kritereve.

Një tjetër zonë që veçoi Lame me probleme të mëdha informale ishte Ksamili, për të cilin tha se të gjitha objektet poshtë shëtitores së re të ndërtuar duhen prishur.

Ksamili është një zonë e madhe informale që ka problematikat e veta dhe duhet vijuar me spastrimin e objekteve poshtë shëtitores dhe në fashën e parë të saj.