COVID-19/Greqia shpreson rikthim në normalitet në maj

Greqia, më pak e prekur nga pandemia e COVID-19, sesa disa nga partnerët e saj europianë, tha sot se shpreson për një rikthim në normalitet në maj, me kusht që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë në mënyrë skrupuloze izolimin.

“Duke qëndruar në shtëpi në prill, ne mund të jemi në gjendje të shijojmë rezultatet e para të sjelljes sonë të përgjegjshme në maj”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas.

“Me masat e marra herët nga qeveria, por edhe përpjekjet e qytetarëve për t’i respektuar ato, ne kemi ndalur përhapjen e virusit”, shtoi ai gjatë një konference për shtypi.

Greqia ka një sistem shëndetësor të dobësuar nga një dekadë krize financiare.

Si rezultat, qeveria greke vendosi të merrte masa të rrepta për të frenuar pandeminë, nga vdekja e parë nga COVID-19 më 12 mars.

Që nga ajo datë, shkollat, vendet arkeologjike, muzetë, kafenetë, baret dhe hotelet janë mbyllur gradualisht përpara izolimit të përgjithshëm të vendosur më 22 mars, pastaj i zgjatur të shtunën deri më 27 prill.

Deri më tani, koronavirusi i ri ka vrarë 76 persona dhe infektuar 1 735./