Investimi 10 milionë euro për shpërndarjen e peshkut ton/ Denaj: Shqipëria, ndër pikat më të mëdha të Mesdheut

Shqipëria do të kthehet në një nga pikat më të mëdha në Mesdhe për rritjen dhe tregtimin e peshkut ton në të gjithë botën.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bën të ditur se, “Ekonomia blu”, do të jetë një nga shtyllat kryesore dhe të fuqishme në rrugën e Shqipërisë 2030.
Denaj shprehet se, “investimi i një prej pikave më të mëdha të Mesdheut për distribucionin e peshkut ton në të gjithë botën, i shtrirë në tre vjet, do të kalojë shifrën e 10 milionë eurove dhe do ta bëjë Shqipërinë një nga vendet kyçe”.
Akuariumet e Tonit do të jenë njëkohësisht, si kudo në ujërat mesdhetare edhe destinacion për turistët. Ekonomia blu, do të njohë një rritje të re të fuqishme në rrugën e Shqipërisë 2030.
Burimet bregdetare dhe detare janë pasuri e vyer ekonomike për Shqipërinë. Koncepti i ri i ekonomisë blu është duke u përqafuar nga Shqipëria si një rrugë për parandalimin e degradimit të mjedisit dhe zhbalancimeve ekologjike.
Ajo ofron mundësi të reja që përfshijnë peshkimin dhe akuakulturën e qëndrueshme, turizmin në plazhe më të pastra. Ekonomia Blu, ky kapital natyror i Shqipërisë është një burim punësimi, të ardhurash dhe rritjeje të qëndrueshme.