Sarandë, titulli “Për Merita të Veçanta Civile” për financierin Andon Vasili

Me anë të një ceremonie solemne, presidenti Ilir Meta vlerësoi financierin atdhetar, Andon Vasili, për aktin e pashembullt heroik, qytetar dhe profesional të shpëtimit të depozitave të Bankës së Sarandës në vitin e vështirë 1997.

Kreu i shtetit i akordoi vlerësimin ish-drejtorit të ish-Bankës së Kursimeve të Sarandës, me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për aktin sa heroik, aq edhe qytetar e të përgjegjshëm, në vitin e mbrapshtë ’97-të, kur me vetëmohim hyri mes flakësh duke shpëtuar pasurinë e përbashkët të bashkëqytetarëve të tij. Me respekt për përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, si figurë me integritet dhe si drejtues i një banke, i cili, në kushte shumë të vështira, arriti të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të saj.”

“Vala e shkatërrimeve përfshiu edhe institucionet më të paprekshme të shtetit, për fat të keq edhe bankat. Në këtë situatë tepër absurde, një qytetar, një intelektual dhe një drejtues i përgjegjshëm, nuk zgjodhi as të shmangej dhe as t’i fshihej përgjegjësive të tij. Përkundrazi, me vetëmohim dhe me një shpirt të lartë sakrifice arriti të kontribuojë në mënyrë heroike për të shpëtuar pasurinë e përbashkët, djersën dhe lekët e qytetarëve të këtij komuniteti. Ky qytetar fisnik quhet Andon Vasili, dhe ai sot është mes nesh, i nderuar si asnjëherë tjetër, i respektuar nga të gjithë qytetarët e Sarandës dhe Delvinës”, u shpreh Meta gjatë ceremonisë.

“Për këtë akt të lartë qytetar, për integritetin e tij moral dhe për përkushtimin e jashtëzakonshëm, i cili arriti të  sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të bankës, edhe në kushtet më të rrezikshme”, përfundoi ai.