Vaksinimi në Vlorë/ Shefi i epidemiologjisë: Sot arrijmë në 40 mijë persona

Në qytetin e Vlorës sot pritet të arrijë në 40 mijë numri i qytetarëve që janë vaksinuar kundër COVID-19.

Shefi i epidemiologjisë në Vlorë Agron Bashllari, tha sot për mediet se “në Pallatin e Sportit si pika kryesore e vaksinimit vijon vaksinimi i personave me ritme të larta, i atyre që po kryejnë dozën e dytë. Vlora ka ritëm të lartë vaksinimi,  deri tani janë vaksinuar 39 600 persona dhe besoj se sot do arrijmë në 40 mijë persona”.

“Në qendrat shëndetësore dhe në pika të tjera masive të vaksinimit gjithashtu vazhdon vaksinimi. Të gjithë personat që kanë dozën e dytë kanë datën e shënuar njëkohësisht komunikohet dhe në telefon. Kartela e vaksinimit tregon dhe datën kur duhet të paraqiten. Ata që kanë probleme shëndetësore apo personale dhe e shtyjnë vaksinimin me disa ditë  përsëri janë llogaritur”, nënvizoi Bashllari.

Ai tha se “shikojmë që ka kërkesë nga qytetarë që duan të udhëtojnë jashtë vendit për ta bërë në afat më të shkurtër nga sa lejohet vaksinimi për shkak të nevojave personale, por kjo nuk është e mundur detyrimisht duhet të respektojmë rregullat”.

Ne, vijoi Bashllari,  punojmë pothuajse me të gjitha vaksinat që janë ofruar nga ministria e shëndetësisë me Sinovac, Sputnik, AstraZeneca dhe Phizer.

Shefi i epidemiologjisë në Vlorë u shpreh se “nuk kemi pasur probleme as mungesa. Kërkojmë me insistim nga personeli shëndetësor, por dhe nga popullata të vazhdojë puna me ritme të larta pasi siç e pamë këtë fundjavë kishim një numër të lartë të ardhurish për turizëm që do të thotë se ditët në vijim do të jenë ditë me më shumë njerëz dhe duhet ta vaksinojmë në kohë sa më të shpejtë  popullatën”.

“Të gjithë personat mbi 18 vjeç duhet të paraqiten tek mjeku i familjes dhe të planifikojnë ditën e vaksinimit nëse nuk e kanë realizuar akoma”, shtoi ai.

Bashllari tha se “ditët e fundit bazuar në numrin e testimeve ditore që arrijnë 50-60 testime ditore, kemi kapur një ose asnjë rast dhe kjo tregon se kemi rënie të sëmundshmërisë mendoj se do vazhdojmë kështu duke marrë parasysh edhe faktin që po punojmë për të vaksinuar sa më shumë popullatën në Vlorë”.