Ikën COVID, vijnë virozat, mbi 50 të rinj në ditë paraqiten në spitalin e Sarandës

Në spitalin e Sarandës nuk ka më raste me COVID-19, por tani janë shtuar të prekurit me virozat e stinës. Më shumë se 50 fëmijë në ditë dhe të rinj marrin ndihmë mjekësore në spitalin ‘Petro Nako’. Mjekët bëjnë apel për kujdes, ndërkohë që temperaturat janë në rritje.

Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prekurit nga këto viroza stinore. Shenjat kryesore të rasteve të paraqitura janë temperaturë e lartë, dehidratim dhe lodhje e vazhdueshme. Gjatë 24 orëve të fundit në spitalin e Sarandës u paraqitën 70 persona për ndihmë mjekësore.

“Pas një dimri të vështirë me shumë sëmundshmëri erdhën ditët e verës. Këto ditë të para janë shumë të nxehta. Fëmijët dhe të rriturit duhet të kenë kujdes nga temperaturat e larta. Nga ora 10:00 deri në 16:00 nuk duhet lejuar ekspozimi në diell i fëmijëve, por edhe të rriturve. Të sëmurët kanë shfaqur probleme që nga dehidrimi deri në probleme centrale. Fëmijët janë paraqitur edhe me probleme respiratore dhe temperaturë shumë të lartë. Përdorimi i lëngjeve dhe vizita tek mjeku janë këshilla kryesore për këto ditë të nxehta”, – shprehet Fatbardha Kuçuku, mjeke pediatre.

Ky sezon veror pritet të dyfishojë punën për bluzat e bardha në spitalin e Sarandës, kjo për shkak edhe të ardhjes së fluksit të pushuesve. Mjekët thonë se tashmë presin ditë akoma më të ngarkuara krahasuar me periudhën e dimrit.

“Jemi në fillim të sezonit veror dhe presim fluks disi më të lartë se ditët e zakonshme. Pritet që të kemi si fillim ngarkesë me virozat e stinës. Aktualisht kemi persona të prekur me virozat e stinës me temperaturë, diarre dhe bronkite të stinës. Përgjithësisht jemi te enderovirozat. Jemi në gatishmëri të plotë për ta përballuar këtë fluks me kapacitetet dhe mundësitë tona”, thotë Eranda Andoni, mjeke.

Spitali ka marrë të gjitha masat e nevojshme në pjesën e infrastrukturës së spitalit dhe furnizimin me të gjitha llojet e medikamenteve në prag të sezonit turistik.

Sipas mjekëve, fëmijët dhe adoleshentët duhet të jenë shumë të kujdesshëm nga ndryshimi i shpejtë i klimës dhe temperaturave gjatë këtyre ditëve.