Alket Hyseni: Ndryshimet në Kodin Penal për zgjedhjet do të rivotohen

Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni thotë se pretendimet e opozitës për ndryshimin në Kodin Penal që lidhet me krimet zgjedhore do të reflektohen dhe për këtë arsye është kërkuar që të ribëhet votimi në Kuvend. Z. Hyseni iu referua pikërisht “ndryshimeve për mbrojtjen e dëshmitarëve për krimet zgjedhore”.

“Do të ketë përsëritje të votimit me amendamentin e plotë. Pretendimet e opozitës janë për disa paragrafë dhe shpresoj që opozita të mos nxjerr probleme. Amendamentet do të rivotohen pasi votimi nuk është në  përputhje me rregulloren pasi amendamenti nuk është futur i plotë për votim por nuk e di nëse do të pranohet të mërkurën nga Kuvendi’, tha z. Hyseni.

“Do të bëjmë çdo gjë të mundur që opozita, të gjejmë dritaren për ta rikthyer në sistem pasi ka dalë vetë, por nga ana tjetër ta harrojnë se ne mund të shkruajmë gjëra që bien në kundërshtim me parimet kushtetuese”, tha deputeti i PS.

Alket Hyseni u shpreh optimist vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese brenda fundit të këtij viti duke thënë se me këtë hap i jepet fund dhe alibive që ka ngritur opozita gjatë mungesës së kësaj gjykate.

“Teorikisht është e mundur që brenda 10 ditëve të zgjidhjet dhe anëtari i gjashtë, Parlamenti i ka zgjedhur tre anëtarët. Gjykata Kushtetuese na duhet një orë e më parë, pasi do t’i hiqte disa pretekste dhe alibi opozitës.

Kemi bërë lëshime të mëdha në një kohë kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese pasi në situatë tjetër nuk do të bënim tolerime të tilla”, tha socialisti.

Përtej kapricove, z. Hyseni tha se mazhoranca është e gatshme që të krijojë lehtësira dhe opozita të ketë garancitë e kërkuara për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por shtoi se nuk do të ketë tolerime që opozita të marrë pushtetin në tavolinë.