Hapini doganat! – Komuniteti shqiptar në Greqi sot në protestë paqesore për hapjen e kufijve

Komuniteti shqiptar në Greqi do të dalë pasditen e sotme në qëndër të Athinës për të kërkuar hapjen e kufijve me Shqipërinë dhe mosdiskriminimin e tyre. Ky komunitet ka thirrur një protestë paqesore në sheshin Sintagma për hapjen e kufijve në orën 18:00 të së martës. “Hapni tani doganat, mos na refuzoni shtëpinë tonë” – kjo do të jetë motoja e protestuesve shqiptarë sot. Në thirrjen e shpërndarë në rrjetet sociale, kjo protestë paqësore, siç theksohet, argumentohet qartë:

“Protestë paqësore në Sintagma për hapjen e kufijve: 08/06/2021, ora 18:00.

Hapni tani doganat! Mos na refuzoni shtëpinë tonë!

Edhe një herë tjetër si emigrantë shqiptarë dhe qytetarë të Greqisë ndjejmë nevojën kaq shumë të kemi një Zë të lartë, të fuqishëm dhe të fortë…!

Përse qeveria greke mbanë mbyllur kufirin me Shqipërinë dhe ka kufizuar në mënyrë asfiktike numrin e hyrjes në Greqi, ndërkohë që me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta?

Përse ky dallim të bëhet vetëm me shqiptarët dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje të tjera? Përse në këtë moment kur kufizimi i hyrjeve ndëshkon edhe vetë fermerët grekë të cilët janë në pritje të mijëra punëtorëve të kualifikuar sezonalë që vijnë nga Shqipëria? Përse ky dallim edhe ndaj minoritarëve grekë? Përse duhet të “ndëshkohen” me mijëra biznese nga të dy anët e kufirit të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit?

Ju bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim dhe dallim, të mblidhemi më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë demokratike në një protestë paqësore.

Të dëgjohet zëri ynë nga qeveria greke, të cilës ne i bëjmë thirrje të rishikojë qasjen e padrejtë ndaj nesh, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizmin duke mbajtur mbyllur pikat doganore dhe kështu na privohet një e drejtë themeltare për të udhëtuar drejtë vendlindjes dhe anasjelltas në vendit ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe ndërtuar jetën tonë, Greqi!

I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj, të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi patur asnjëherë mbështetje!

Mos mungoj askush, të gjithë së bashku më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma”! 18:00

Grupi organizator

Tel: +30 693 692 5157

Tel: +30 690 754 1526