DETAJET/ Shitës kokaine në lokalet me muzikë të Sarandës, kush është polici i “Shqiponjave” që u arrestua

Një oficer i forcave “Shqiponja” në qytetin bregdetar të Sarandës rezultoi se, duke përdorur detyrën e tij dhe uniformën e Policisë së Shtetit, shpërndante lëndë narkotike kokainë në lokalet me muzikë.

Ai u hetua për disa muaj rresht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që grumbulluan fakte e prova për aktivitetin kriminal që ai kryente në mënyrë sistematike, duke sjellë më pas edhe arrestimin e tij.

Burime nga SHÇBA-ja thanë se i arrestuari është Lavdosh Metaj, 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja”, në Komisariatin e Policisë Sarandë. Ai akuzohet për veprën penale të “Prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”.

Të njëjtat burime thanë se në momentin e arrestimit në flagrancë, efektivit 38-vjeçar iu sekuestruan 11 doza kokainë, me peshë totale 5 gramë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi, iu gjetën edhe 165 gramë, lëndë narkotike, e të njëjtit lloj, kokainë, si dhe një peshore elektronike.

HETIMI I SHÇBA

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë Lavdosh Metaj, 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë Sarandë. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Arrestimi u krye pas një hetimi disa mujor në aplikim të metodave të posaçme hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, ku u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i Policisë Metaj kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambiente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë. Bazuar në këto fakte të dokumentuara në rrugë procedurale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë lejoi kontrollin personal dhe të banesës së punonjësit të Policisë.

“Në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, punonjësit të Policisë L. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundërligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes radhëve të strukturave policore, apo jashtë saj”, tha zyrtarisht SHÇBA-ja.

Precedenti në Durrës, u kap oficeri i Antidrogës

Një rast i ngjashëm me të Sarandës u godit nga SHÇBA-ja më 24 maj në qytetin e Durrësit. Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundërligjshme e punonjësit të Policisë Edvin Sinani, i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Durrës.

“Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë. Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre”, njoftonte zyrtarisht SHÇBA-ja.