Kur Katerina Kulo shpallej “Qytetare Nderi” e Sarandës

Nga Thoma Nika, botuar më 18 maj 2019

PSE KATERINA KULO “QYTETARE NDERI” E SARANDES?

Eshte një grua, që përfaqëson një zë dhe një jetë artistike të admirueshme në qytetin e Sarandës.

Katerina Foni Kulo është angazhuar në jetën kulturore-artistike të Sarandës prej vitit 1979, për 40 vite me radhë. E sugjeruar për t’u nderuar me një titull të lartë, nga seksioni shqiptar i CIOFF, që është një organizatë kombëtare, pjesë e organizatës botërore CIOFF, me qendër në Francë. Në profilin e CIOFF është promovimi i trashëgimisë kulturore kombëtare, diversiteti kulturor dhe qarkullimi i këtyre vlerave nëpërmjet festivaleve folklorike në shkallë ndërkombëtare.

Katerina Kulo është pjesëtare protagoniste e grupit polifonik të Shqoatës kulturore “Jonianët” në Sarandë dhe anëtare themeluese e Shoqatës CIOFF.
Në cilësinë e marrëses në grupin polifonik “Jonianët”, Katerina Kulo ka marrë pjesë në dhjetëra koncerte e aktivitete, të organizuara në nivel lokal e rajonal, në Sarandë e Gjirokastër.

Ka qenë pjesëmarrëse protagoniste në shumë veprimtari kombëtare, si: Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës në vitet 1983, 1988, si dhe në Festivalin Kombëtar ne Berat.

Ka marrë pjesë në Festivalin “Bylispolifonia” në Ballsh dhe Fier, si dhe në disa festivale të Iso-polifonisë në qytetin e Vlorës, në Festivalin “Përmeti Multikulturor”, 2001-2007
Zonja Kule është aktivizuar edhe në mjaft aktivitete ndërkombëtare, si: në Festivalin “Ballkan Trafik” në Bruksel, në vitin 2014, ku, nëpërmjet interpretimit të këngës polifonike “Hapna derën, moj Europë”, krijoi atmosferë emocionuese dhe sensibilizuese për pranimin e Shqipërisë në BE.

Këngëtarja polifonike Katerina Kulo, ka marrë pjesë edhe në disa festivale organizuar në Hungari, Gjermani, Çeki, Kosovë, Hollandë, Greqi etj., ku, përmes talentit dhe zërit të saj, ka shpalosur vlerat e iso-polifonisë shqiptare, trashëgimi e vlerësuar dhe e bërë pjesë e fondit të vlerave në mbrojtje të UNESCO-s.

Në të gjithë këtë jetë artistike e koncertore që lidhet me emrin e Kateria Kulos, ajo ka dhënë kontribut të dukshëm, shoqëror e vullnetar, duke sakrifikuar për gati katër dekada nga koha e saj, të cilën ia ka dedikuar gjallërimit të jetës kulturore e artistike në qytetin e saj, në Sarandë e më gjerë, duke u bërë edhe një edukatore kulturore për brezat e rinj.

Për kontributet e dhëna, Katerina Kulo është dekoruar në vite: Me urdhërin “Naim Frashëri”
Është autore e vëllimit me poezi, titulluar “A zbrazet shpirti nga kënga”
Emrin e Katerina Kulos e shoqëron kudo respekti dhe nderimi nga qytetarët e Sarandës e më gjerë.

Vleresimi me titullin “QYTETAR NDERI” është vetëm institucionalizimi i vlerë që Katerina Kulo ka dhe vazhdon ta japë në jetën kulturore dhe koncertore të Sarandës.