Ina Zhupa shpjegon procesin zgjedhor për kryetarin e Partisë Demokratike

Ina Zhupa, deputete e zgjedhur e Partisë Demokratike tha për Euronews Albania se zhvendosja e datës së zgjedhjeve të kryetarit të PD-së nga muaji korrik në 13 qershor ka ndodhur sepse turizmi është më i zhvilluar gjatë muajit korrik.

“Çdo anëtar i Partisë Demokratike do të vijë me alternativat për kryetar. Deri sot kemi dy alternativa, z. Basha dhe z. Kadilli. Mund të kemi të tjera pasi kryesia e partisë pret deri më 23 maj, data kur  do të zhvillohet dhe mbledhja e radhës, të gjitha kandidaturat që do të vijnë të vetëshpallura sipas kritereve që kërkon statuti i Partisë Demokratike dhe pastaj çdo kandidat do të ketë të drejtën e tij për t’i folur anëtarësisë në çdo qark, në çdo degë për të dhënë programin e tij,” – u shpreh Zhupa.

Sipas saj nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar me minimumin e standardit, Lulzim Basha do të kishte dhënë dorëheqjen por kjo nuk është diçka që mund të ndodhë kur  zgjedhjet, siç i cilëson Partia Demokratike ishin një masakër elektorale.

Lidhja e situatës aktuale me dorëheqjen e Sali Berishës kur humbi zgjedhjet në vitin 2013 nuk qëndron, kështu tha deputetja e PD-së, Ina Zhupa e cila sqaroi se zgjedhjet e Berishës kanë pasur përveçse më shumë standard, kanë qenë të organizuara dhe nga vetë ai.

Me dosje të qarta për nëntë qarqe në KAS, Zhupa u shpreh se fakti që zgjedhjet ishin jo të lira është i faktuar përballë autoriteteve.

“Ne do ta ndjekim rrugën e fakteve dhe provave edhe në institucionet ndërkombëtare. Ne do të shkojmë deri në Gjykatën e Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme për të treguar se si është manipluluar dhe si është tjetërsuar një e drejtë kushtetuese, e drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe e drejta e votës së garantuar të qytetarëve shqiptar,” – përfundoi Zhupa.