Ksamili i boshatisur, operatorët: Rezervimet u anuluan! Pronarët e hoteleve e lokaleve: S’jemi njohur me protokollin

Pavarësisht se jemi në mesin e muajit maj, plazhet e Ksamilit janë bosh.

Bizneset e Ksamilit janë në pritje të lehtësimit të masave të marra për parandalimin e përhapjes së covid-19, por më tepër ata presin hapjen e kufijve dhe lejimin e lëvizjes me shtetet evropiane.

Të gjitha rezervimet e pushuesve të huaj për muajt maj dhe qershor janë anuluar, ndërsa për muajt korrik dhe gusht janë në nivele shumë të ulta, shkruan Shqiptarja.com.

Nga ana e tyre bizneset e Ksamilit kërkojnë nga bashkia Sarandë marrjen e masave për përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimit me ujë të pijshëm, probleme të cilat kanë sjellë jo pak vështirësi në mbarëvajtjen e sezonit turistik gjatë vitit të kaluar.

Ksamili, për vetë bukuritë natyrore, plazhet me ujë të pastër pozicionit mes qytetit antik të Butrintit dhe Sarandës, është një ndër pikat më të preferuara për pushuesit vendas dhe të huaj.