Finiq, bashkëpunim me përfaqësuesit Zviceran të Turizmit në Shqipëri

Një takim me menaxherë dhe ekspertë të RisiAlbania, pjesë e Programit Zviceran për Turizmin në Shqipëri u organizua sot në datën 14.05.2021 në zyrën e Kryetarit të bashkisë  së Finiqit.

Ky takim zhvillohet në kontekstin e koordinimit dhe rregullimit të përpjekjeve individuale të subjekteve private, qeverisjes vendore dhe kombinimeve rajonale për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonat rurale gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit të verës.

Kryetari i Bashkisë së Finiqit, Z. Kristo Kiço, pasi uroi mirëseardhjen menaxherit të sektorit të turizmit në RisiAlbania, z. Mirtion Mita, ekspertit zviceran URS WAGENSEIL ,theksoi mundësitë e ofruara nga zona për zhvillimin e një aktiviteti të qëndrueshëm në sektorin i turizmit, sepse kjo zonë është e pasur me monumente kulture dhe natyre, me histori, dhe traditë në fushën e kulinarisë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e programit konfirmuan këto mundësi të ofruara nga bashkia e Finiqit, por u përqendruan më shumë në mënyrën se si këto produkte të ofruara nga zona do të integrohen në strategjinë e përgjithshme të turizmit në rajonin bregdetar përmes një planifikimi të mirë-koordinuar për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.

Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në përgatitjen e këtij programi por edhe në bashkëpunimim për promovimin dhe shfrytëzimin e produkteve dhe mundësive të pasura turistike të bashkisë së Finiqit.

Të hënën e ardhshme, një takim i zgjeruar do të organizohet në qytetin e Sarandës me kompani turistike dhe përfaqësues nga bashkitë e Sarandës, Delvinës, Finiqit dhe Konispolit për të zhvilluar idenë e bashkëpunimit në zonë, e cila do të përfshijë biznese edhe  nga Finiqi.