Konçensioni për Butrintin, Ina Zhupa: Abuzim me zemrën e pasurisë kombëtare

Deputetja e PD Ina Zhupa akuzoi ministren e Kulturës Elva Margaritin, se do të japë me konçension në një marrëveshje sekrete Parkun e Butrintit.

Kjo akuzë çoi në një përplasje mes deputetes dhe ministres, e cila nuk u lejua nga Zhupa të vijojë fjalën për marrëveshjen për Butrintin, në Komisionin e Edukimit. Për të folur për këtë Zhupa u shpreh në edicionin e lajmeve se kjo është një marrëveshje sekrete që i hap rrugën abuzimit me monumentet e kulturës.

“Dje po tentohej që Butrinti, pasuria dhe identiteti kombëtar të jepet me konçension me një marrëveshje sekrete, me proçedura sekrete. Komisioni i edukimit, i cili sipas rregullores është komisioni përgjegjës për kulturën, nuk po e trajtonte këtë çështje, pasi kjo çështje i ishte kaluar komisionit të ekonomisë, duke e trajtuar Butrintin si një plaçkë.

Gjesti im ishte për të treguar se beteja për Butrintin do të vazhdojë dhe të gjitha marrëveshjet do të bëhen publike. Ky konçension për menaxhimin e Butrintit i është dhënë një fondacioni, për ta shfrytëzuar, duke e trajtuar si një plan biznesi.

Ky fondacion merr në zotërim zonën kryesore të prodhimit të të ardhurave, të cilat i shkojnë 100% shtetit. Kjo hap rrugën që në të ardhmen të gjitha monumentet e kulturës të përdoren dhe të jepen për konçension. Kjo i hap rrugë interesave të tjera ekonomike duke abuzuar me zemrën e pasurisë kombëtare që ne kemi. Unë shikoj një tërheqje, duke mos u votuar kjo marrëveshje.”,- u shpreh Zhupa.