Shqiptarët nga Kosova çelin sezonin, mbërrijnë në Sarandë grupet e para të turistëve

Përmirësimi i motit ka sjellë në qytetin bregdetar grupet e para me turistë nga Kosova. Ashtu si një vit më parë, ata që e çelën sezonin më herët janë miqtë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

“Saranda është një ndër vendet më të bukura që ka Jugu. Ka diellin detin dhe mikpritjen e njerëzve. Këtë herë kemi sjellë 70 turistë, por herët e tjera kemi sjellë më shumë. Parashohim që të kemi më shumë vizitorë këtë vit”, thotë Blendi Kurtishaj, drejtues agjencie turistike në Kosovë.

Vizitorët e parë janë nga Prizreni, Suhareka, Gjakova. Një shëtitje me anije në Gjirin e Sarandës, është gjithmonë e preferuar. Ata shprehen të kënaqur me mikpritjen, shërbimin dhe bukuritë që të fal kjo zonë.

“Vijmë nga qyteti i Suharekës. Është mrekullia e botës, më vjen keq që s’e kam shfrytëzuar deri më tani, do ta vizitoj shumë shpesh”, shprehet një turist.

“Edhe unë jam nga Kosova, jemi në Sarandë. Jemi duke kaluar shumë bukur, tashmë morëm një anije për shëtitje. Janë shumë vende të bukura. Jemi dhe në rinovim të sheshit, ishte shumë bukur. Prandaj ne e duam shumë Sarandën si qytet”, thotë një tjetër turist.

Laura Mano prej disa vitesh shoqëron grupe me vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë fillim sezoni sipas saj, ka shpresë për një rikthim drejt normalitetit pas ndërprerjes që shkaktoi pandemia në sektorin e turizmit.

“Mendoj se ky vit do të jetë shumë më i mirë se viti që lamë pas. Shpresoj që viti 2021 të ketë një bum turistësh, sidomos nga Kosova, që janë vëllezërit tanë dhe shpresoj që Saranda dhe gjithë bregu të na befasojnë këtë vit”, thotë Laura Mano, guidë turistike.

Në të gjitha zonat bregdetare te Shqipërisë pritet me shumë interes përfundimi i pandemisë për ringritjen e sektorit të turizmit. Sidoqoftë, turistët që vijnë nga Kosova parashikohet që edhe këtë vit të jenë potenciali kryesor që do të vërë në lëvizje turizmin në Shqipëri.