“Deri tani kemi 48.8% të votave në Sarandë”, Zhupa: Operatorët në Finiq po hidhnin të dhënat ‘online’ në favor të PS-së

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në një intervistë për ‘FaxNews’ tha se PD-ja është duke kryesuar deri më tani në qytetin e Sarandës.

Zhupa deklaroi se administrata lokale dhe qëndrore kanë qënë duke intimiduar votuesit, por kjo cështje u arrit të zgjidhej në kohë. Ndërkohë një problem tjetër që ka hasur PD-ja ishte dhe azhornimi gabim i të dhënave online nga operatorët. Zhupa tha se kur është konstatuar, operatorët kanë thënë se ishin të lodhur, por e cuditshmja është se të dhënat hidheshin në favor të PS-së.

“Deri tani kemi 48.8% të votave në qytetin e Sarandës një rritje historike më e madhe se në 2015 kur ndodhi rotacioni politik. Në rezultatet paraprake kemi numëruar gati gjysmën e kutive dhe në krahasim me zgjedhjet më parë rritja është eksponenciale.

Kemi pasur një angazhim të jashtëzakonshme të adiminstratës lokale dhe qendrore për të intimiduar votuesit sepse vullneti për ndryshim është shumë i madh.

Në fillim të procesit të votimit kemi pasur disa problematika që lidhen me prezencën e administratës publike që qëndronin jashtë qendrës së votimit për të intimiduar votuesin për të parë votën dhe për ti parë shenjën e votimit. Me ta parë këtë grupet tona kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe në disa të tjera me komunikim kanë arritur të largojnë këta njerëz dhe drejtora të cilët ishin aty për presion. Pas fazës së parë nuk ka pasur problematika.

Ndërsa në procesin e numërimit deri tani në të 3 KZAZ kemi pasur një lloj dakordësie dhe kemi ecur përpara. Ndërsa në Finiq kemi pasur problematika në lidhje me operatorët që hidhnin të dhënat në sistemin online, pasi vumë re se ata hidhnin të dhënat të ndryshme duke ndryshuar shifra nga procesverbali, ata thonë që ka qënë nga lodhja por që çudia është rritej gjithmonë PS.

Kemi stopuar procesin e numërimit dhe kërkuam ndihmën e KQZ-së për të pasur mundësinë që të pasqyroheshin votat siç ishin në procesverbal pa asnjë ndryshim. Është duke u korrigjuar situata dhe vazhdojmë të qetë.”, përfundoi Ina Zhupa.