Denaj premton për mandatin tjetër: Do japim 5 mijë euro grant për çdo emigrant të kthyer që hap biznes në Shqipëri
Partia Socialiste prezantoi sot Programin e saj për “Pagat, Taksat dhe Biznesin”, ku ministrja e Financave, Anila Denaj, premtoi mbështetje edhe më të madhe për biznesin.
Ministrja Denaj tha se do të jepet 5 mijë euro grant për çdo emigrant të kthyer që hap biznes në Shqipëri.
“Kur erdhi PS në Shqipëri ishte ulur këmbëkryq informaliteti. Kur Partia Socialiste lançoi për herë të parë taksimin e drejtë, nuk ua merrte mendja askujt se për mbi 90% të punonjësve do të ulej barra fiskale. Sot, 94% e shërbimeve tatimore ndodhen online. Kemi rikthyer shpresën për një proces të thjeshtë, kemi rimbursuar TVSH-në në kohë optimale, angazhimi është dhe do të mbetet.
Prej 1 janarit të këtij viti biznesi i vogël do të paguajë 0 taksa. Pagesa e taksave do të jetë e gjitha dixhitale. Kemi mbështetur bizneset. Ne do të japim 5 mijë euro grant për çdo emigrant të kthyer që hap biznes në Shqipëri. Shqipëria 2030 është Shqipëria e sipërmarrjes shqiptare, ajo e prodhimeve ‘Made in Albania’. Shqipëria 2030 është Shqipëria e të rinjve.”– tha ministrja Denaj gjatë fjalës së saj.
Kryeministri Edi Rama në anën tjetër, premtoi rritjen e pagës minimale nga 300 mijë lekë të vjetra në 400 mijë lekë të vjetra.