VIDEO/ Sarandë, Doganieri masakrohet në krye të detyrës

Emisioni “Stop” u ndal këtë të mërkurë në Sarandë, ku doganieri i portit A.M denoncoi se është dhunuar nga agjenti doganor, që punon privat brenda ambienteve të kësaj dogane Ilir Iliazi.

“Më ka dhunuar në ambientet e punës agjenti doganor Ilir Iliazi, duke kryer një praktikë doganore. Pretendimet e tij janë që më ka qëlluar jo për shkak të detyrës, por unë kam qenë në krye të detyrës, kjo e provuar me pamjet filmike dhe më ka qëlluar në çastet kur përfundohej deklarata doganore dhe u konstatua që do të vendosej gjobë”, tha doganieri.

Dhuna ka ndodhur për disa praktika zhdoganimi, pasi agjenti kërkonte me ngulm kalimin e procedurave, por doganieri A.M, nuk mund t’i përfundonte, për shkak, se dokumentacioni kishte probleme. I dhunuari tregoi 9 hematomat dhe çarjet në kokë dhe fytyrë nga grushtat dhe shkelmat e agjentit doganor.

“Kjo është kartela e mjeko ligjorit dhe fotot të cilat bën ekzaminimin ai”, tha doganieri.

Ai shtoi se ka goditje tek koka, supi, mbrapa shpine, në kofshë dhe tek buza.

“Kur kam qenë shef turni dhe kemi pasur debate për praktikat e punës, se janë disa praktika. Praktika e parë ka qenë me një makinë 2-vjeçare të bllokuar, e cila është konfiskuar me vendim të kryetares. Praktikë e dytë më datë 7 Mars, ky person sjell një motor, i ndërron vitin e prodhimit. Kemi bërë debate dhe që prej datës 7 Mars unë nuk kam komunikuar me këtë person”, tregoi ai.

“Stop” ka siguruar pamjet e kamerave të ambienteve të doganës në portin e Sarandës, ku duket qartë dhuna barbare ndaj doganierit denoncues. Ngjarja ka ndodhur në Qershor të vitit të kaluar.

Agjenti doganor i veshur me një bluzë të zezë dhe pantallona të shkurtra dallohet teksa ngjit shkallët me qetësi, por menjëherë nis dhunën ndaj doganierit me grushta e shkelma. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ndodhen edhe disa persona të tjerë, të cilët nuk e neutralizojnë dhunuesin. Ky i fundit është i qetë, dhe sillet sikur është në shtëpinë e tij.

Vepra penale “dhunë për shkak të detyrës” parashikon deri në 2 vjet burg minimalisht. Por prokurorja Aurora Hajro ka ndryshuar klasifikimin e veprës penale. Denoncuesi thekson faktin se dhunuesi i tij ka të afërm që punojnë në policinë e Sarandës. Po kështu gjyqtari Shkëlzen Licaj nuk mori parasysh asgjë dhe pushoi çështjen e dhunës për shkak të detyrës.

“Ai ka pranuar kërkesën e prokurores jo për goditje për shkak të detyrës, por për shkaqe të tjera”, u shpreh denoncuesi.