Qarku i Gjirokastrës në sytë e të huajve/Turqit për Gjirokastrën, arabët për Përmetin, grekët në Labëri

Gjatë një qëndrimi në Gjirokastër dhe në bashkëbisedim me faktorë publikë aty, kryeministri Rama tha se zona historike e qytetit, siç në Berat, do merret nga Turqit për ta transformuar tërësisht.

“Kemi bërë një marrëveshje me Turqinë për të investuar pikërisht te objektet e trashëgimisë kulturore. Ata kanë ndërhyrë te objektet e kultit.

Ajo që u kam kërkuar është eksperienca e tyre në restaurimin e zonave historike.
Kemi rënë dakord për Beratin dhe Gjirokastrës dhe do të fillojmë planin e ndërhyrjes. Do të na mundësojë një ndërhyrje më të gjerë nga pikëpamja sasiore.

Kam shumë besim që Gjirokastra me daljen nga pandemia do ta ndjejë fort vlerën e këtyre investimeve”, tha i pari i qeverisë.

Ndërkohë, ai tha se për Përmetin janë Emiratet ato që kanë shprehur interes, pasi iu ka pëlqyer shumë si zonë.

“Grupi i ngarkuar nga Princi i Kurorës ka shprehur interes për të investuar në Përmet. Lidhet me disa faktorë.

Kanë bërë një studim të rajoneve të vendit dhe sipas tyre Përmeti është një vend me potencial më të madh të turizmit nga dekada e ardhshme, sipas tyre ka disa karakteristika të veçanta, që nga lumi poshtë deri te pyjet e mrekullueshme lart.

Ata e konsiderojnë zonën si për pushime, ju e dini ata arabët bëjnë shumë pushime se kanë naftë shumë. Kjo është perspektiva për Përmetin”, theksoi Rama.

Ndërsa duke vlerësuar investimet në Labërinë e epërme, Rama solli shembllin e dy turistëve grekë.

“Tek një bujtinë atje lartë në Nivicë, m’u tha që erdhën dy turistë grekë për një natë dhe ndenjën 10 netë. Më thanë se nuk donin të iknin pa bërë gjithë rrugët e shtigjeve të zonës.
Shtigjet janë një gjë, por ka të tjerë që janë të apasionuar mbas ushqimit, mbas bimësisë, aty në këtë perimetër ka kaq shumë diversitet, nga dielli dhe uji i kaltër në Jon tek maja e malit akoma me borë atje”, theksoi shefi i qeverisë.